Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka sqaruar nismën ligjore të prezantuar prej saj në kryesinë e Kuvendit.
Ajo thekson se kjo nismë ligjore do u mundësojë deputetëve të kenë mjete më efektive për të kërkuar llogari ndaj qeverisë në të gjitha nivelet.
Ajo shton se transparenca e llogaridhënia e institucioneve publike janë thelbësore për interesin publik.
Në shënimin në Facebook, Kryemadhi nënvizon se mosdhënia e infomacionit ndaj Kuvendit duhet të konsiderohet vepër penale dhe ligji i ri mundëson rregullimin e lloagridhënies.
“Sot në Konferencën për media në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë prezantova nismën time ligjore, e cila do t’i mundësojë deputetëve mjete më efektive për të kërkuar llogari ndaj qeverisjes në të gjitha nivelet. Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike janë thelbësore për ruajtjen e interesit publik dhe luftën ndaj abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit. Mosdhënia e informacionit ndaj Kuvendit të Shqipërisë, qoftë dhe ndaj një deputeti, kur kjo bëhet për shkaqe të pajustifikueshme, duhet jo vetëm të ndëshkohet me pasoja administrative, por të konsiderohet vepër penale për të cilën mban përgjegjësi direkte zyrtari që e refuzon transparencën. Propozimi vjen edhe pas shqetësimeve të shprehura nga shumë qytetarë, kërkesat e të cilëve për t’u informuar nga organet publike nuk kanë marrë përgjigje. Me këtë rregullim të ri, arroganca e pushtetit nuk do të jetë më pengesë për asnjë deputet që ka vullnetin të jetë përfaqësues i interesit qytetar dhe atij kombëtar.” – shkruan Kryemadhi.