Vendosni fjalën kyçe....

Monopolet e internetit në pallate, Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar


Autoriteti i Konkurrencës vendosi në muajin maj hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit, ndaj ndërmarrjeve të administrimit dhe ndërmarrjeve të internetit në rezidencat e banimit që këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë.

Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 10 maj 2024.

Ky vendim erdhi në vijim të procedurës së hetimit paraprak, që filloi në fillim të vitit 2024, pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës, mbi problematikat në zgjedhjen e ofrimit të shërbimit të internetit pranë komplekseve të pallateve në kryeqytet.

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se në rezidencat e banimit në Tiranë, ndërmarrjet e administrimit menaxhojnë infrastrukturën e shërbimit të internetit. Për më tepër, këto ndërmarrje bëjnë lidhjet me kompanitë e ofrimit të shërbimit të internetit dhe banorëve të cilët duan të përfitojnë këtë shërbim. Në të tilla kushte, ndërmarrjet e administrimit kanë ndikim në tregun e ofrimit të shërbimit të internetit në rezidencat ku ata operojnë.

Nga informacioni i administruar nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin e internetit, është evidentuar se ekzistojnë problematika për kufizimin e aksesit nga ndërmarrje të tjera të administrimit në rezidencat e banimit në qarkun e Tiranës.

Nga hetimi paraprak, janë evidentuar raste tipike të abuzimit me pozitën dominuese përkatëse nga disa shoqëri administrimi. Abuzimet përfshijnë mosdhënien e aksesit në mjediset e përbashkëta për operatorët e interesuar, apo aplikimi i kushteve dhe tarifave të ndryshme, për operatorë të ndryshëm. Disa kompani të ofrimit të shërbimit të internetit në procedurën hetimore janë shprehur se nuk lejohen të vendosin infrastrukturën e tyre dhe të ofrojnë shërbim në disa rezidenca banimi.

Duke u nisur edhe nga fakti se disa nga ndërmarrjet e administrimit kanë aksionarë të përbashkët me kompanitë e shërbimit të internetit e internetit, ushtrojnë veprimtarinë në të njëjtën rezidencë banimi, duke sjellë kështu një integrim vertikal, për Autoritetin e Konkurrencës ngrihen dyshime që në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit mund të këtë shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Monopolet e ofrimit të shërbimit të internetit me linja fikse nuk janë të rralla në godinat e banimit në Tiranë. Shpeshherë, vetë firmat ndërtuese ose kompanitë e administrimit japin të drejtën e vendosjes së infrastrukturës së lidhjes për një ofrues të vetëm shërbimi, duke penguar kompanitë e tjera. Një praktikë e tillë iu heq banorëve e pallateve mundësinë e zgjedhjes dhe i detyron t’i marrin shërbimet e komunikimit fiks, si internet, IPTV apo telefoni nga një ofrues i vetëm shërbimi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor