Vendosni fjalën kyçe....

Debate në Komisionin për TIMS-in, pas Ballës socialistët kërkojnë që edhe Rrumbullaku të dëshmojë me dyer të mbyllura


Në Komisionin Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS pas dëshmisë së dhënë nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deputetët po diskutojnë nëse edhe dëshmia e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, të zhvillohet me dyer të hapura ose jo.

Kërkesa për zhvillimin me dyer të mbyllura është kërkuar nga deputetët socialistë ndërsa është kundërshtuar nga opozita që kërkon prezencën e mediave.

Deputeti socialist Toni Gogu, nënkryetar i Komisionit, tha se dëshmia e kreut të Policisë së Shtetit duhet të bëhet me dyer të mbyllura.

Ai tha se ka një kërkesë formale nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që kërkon këtë gjë.

“Kërkojmë që të hidhet në votim kjo kërkesë”, tha Gogu.

Ndërkohë kreu i Komisionit Hetimor, Ervin Salianji, referuar shkresës së Policisë së Shtetit, tha se në shkresë tekstualisht thuhet që të jetë një mbledhje e hapur për publikun.

Salianji tha se edhe në rastet kur Policia e Shtetit kërkon që të zhvillohet mbledhja me dyer të hapura, socialistët në këtë komision duan t’i mbyllin gojën, sepse kanë frikë mos del ndonjë gjë që nuk duhet dhe e merr vesh publiku, sipas mendimit të anëtarëve socialistë.

Salianji tha se PS ka frikë që të përballet me të vërtetat që mund të dalin nga ky komision, ndaj dhe kërkon që këto të vërteta të mos i marrë vesh publiku dhe duan një mbledhje me dyer të mbyllura.

Ai tha se është e turpshme që dyert e Kuvendit janë të mbyllura për mediat. “Keni vetëm një qëllim që ky komision të mos ketë trasnparencë”, tha Salianji.

Lefter Gështenja, deputet i PD-së, tha se kjo mazhorancë nuk ka vullnet dhe dëshirë që ti shkojë deri në fund këtij komisioni hetimor.

“Ka një tendencë për të zvarritur këtë komision, po përdorin manovra që ky hetim parlamentar të dështojë”, tha Gështenja.

Ai u shpreh se edhe nga ajo që deklaroi ministri i Brendshëm asgjë nuk ishte sekrete, ndaj nuk ka asnjë kuptim që të vijon mbledhja me dyer të mbyllura.

“Nuk po kërkojmë gjëra që përbëjnë sekret shtetëror, por gjërat që duhet të bëhen transparente për publikun, nuk kanë pse të mbahen sekret”, tha Gështenja.