Vendosni fjalën kyçe....

Do punojmë për ndalimin e luftës në Gaza – Zelensky


Kievi do punojë për t’i bërë presion Izraelit për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Gaza, tha udhëheqësi ukrainas Vladimir Zelensky gjatë udhëtimit të tij në Singapor të dielën, pothuajse tetë muaj pas luftës Izrael-Hamas.

Duke folur në konferencën vjetore të sigurisë Shangri-La Dialogue, Zelensky përsëriti se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga “terroristët e Hamasit”. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen e rëndë humanitare në enklavën palestineze, të rrethuar nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

“Pasi Izraeli hyri në territorin e Gazës, ka pasur një krizë humanitare”, vuri në dukje Zelensky, duke shtuar se Kievi është i gatshëm të ndihmojë me dërgimin e ndihmave në enklavë.

“E drejta ndërkombëtare duhet të respektohet”, theksoi Zelensky.

“Ukraina do njohë dy shtete: Izraelin dhe Palestinën. Dhe do të bëjë gjithçka për ta bërë Izraelin të ndalojë, në mënyrë që ky konflikt të mund të përfundojë dhe civilët të mos lëndohen.”

Vitin e kaluar, Zelensky u ankua se luftimet në Gaza po shpërqendronin botën nga konflikti i Kievit me Moskën.

“Tashmë mund të shohim pasojat e zhvendosjes së vëmendjes nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të tragjedisë në Lindjen e Mesme”, tha ai për Associated Press.

Ndryshe nga shumë vende perëndimore, Izraeli ka kundërshtuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka përjashtuar dërgimin e armëve në Kiev.

Më shumë se 36,000 palestinezë janë vrarë që kur Izraeli filloi operacionin e tij në Gaza në përgjigje të sulmit të Hamasit më 7 tetor ku u vranë 1200 izraelitë e u morën peng rreth 250 të tjerë.