Një sulm kibernetik ka goditur spitalet kryesore të Londrës, duke bërë që operacionet të anulohen dhe pacientët e urgjencës të transferohen.
“Incidenti i madh kibernetik” preku klinikat partnere të ofruesit të shërbimit Synnovis, të tilla si Spitali King’s College, Guy’s dhe St Thomas’, duke përfshirë Royal Brompton dhe Evelina London’s Hospital, të cilat strehojnë qendra të mëdha pediatrike.
Sipas BBC News, sulmi pati një ndikim të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve, veçanërisht në transfuzionet e gjakut dhe raportet e testeve klinike.
Për momentin nuk dihet motivi i sulmit kundër sistemeve të spitaleve kryesore të Londrës, por sipas burimeve të ndryshme të cituara nga transmetuesi publik britanik, bëhet fjalë për një operacion të tipit ‘ransomware’, i kryer nga hakerë që synojnë të kërkojnë një shpërblim, zakonisht në bitcoin, për kthimin e të dhënave.