Mungesa e entuziazmit dhe pjesëmarrja e ulët në votime i përcollën zgjedhjet për Parlamentin Evropian prej vitesh, dhe frika se e njëjta gjë do të përsëritet, është e pranishme edhe përpara votimeve që do të mbahen këtë javë.
Për pjesëmarrjen e ulët, përkatësisht nevojën që në procese zgjedhore të përfshihen edhe ata që do të krijojnë të ardhmen e kontinentit evropian, paralajmëroi më herët edhe Konferenca për të Ardhmen e Evropës – një nismë kjo e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, që për synim ka të vlerësojë të ardhmen afatmesme dhe afatgjate të BE-së, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë institucionet e saj.
Sfida bëhet edhe më e madhe në kohën kur Evropa përballet me rënie demografike dhe të rinjtë janë gjithnjë e më pak.
Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, popullsia e BE-së më 1 janar, 2023, numëronte 448.8 milionë banorë, dhe më shumë se një e pesta e tyre, pra 21.3%, ishin mbi 65 vjeç.
Po në atë periudhë, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç. Sipas Eurostat-it, kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së është më e vjetër se 44.5 vjeç.
Pjesëmarrja në zgjedhjet evropiane është vazhdimisht në rënie dhe ishte gjithë kohën më e ulët se në zgjedhjet kombëtare.
Me këtë fenomen, BE-ja ka gjasa të përballet edhe në zgjedhjet që do të mbahen mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti.
Si u votua deri më tani?
Në zgjedhjet e para evropiane të vitit 1979, kur Komuniteti i atëhershëm Evropian kishte nëntë shtete anëtare, pjesëmarrja ishte 61.9%, ndërsa në zgjedhjet e 2014-ës kjo ra në 42.61%.
Rritja e vetme deri më tani u shënua në zgjedhjet e vitit 2019, kur pjesëmarrja arriti në 50.6% – pra 8% më shumë.
Analizat treguan se kjo rritje ishte kryesisht rezultat i pjesëmarrjes më të madhe të të rinjve.
Sipas të dhënave të Forumit Rinor Evropian, pjesëmarrja e të rinjve më 2019 ishte më e lartë për 14 për qind.
Kjo është arsyeja edhe përse u imponua nevoja për uljen e moshës për pjesëmarrje aktive në politikë, ndonëse jo të gjitha shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa konkrete për të mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve.
Janë vetëm 5 nga 27 shtetet anëtare të BE-së që i lejuan qytetarët e tyre nën moshën 18-vjeçare të votojnë. Belgjika, Gjermania, Malta dhe Austria e ulën pragun e moshës në 16 vjeç, ndërsa Greqia në 17 vjeç.
Kur bëhet fjalë për votuesit për herë të parë, sipas Eurostat-it, numri më i madh i tyre është në Gjermani (5.1 milionë), në Francë (4 milionë) dhe në Itali (2.8 milionë). Numri më i vogël, ndërkaq, është në Maltë (20.000), në Qipro (37.000) dhe në Estoni (70.000).
Numri më i madh i votuesve që do të votojnë për herë të parë, pritet në Belgjikë, Francë dhe Gjermani – me 9.7%, 8.0% dhe 7.9% të të gjithë votuesve me të drejtë vote – pra, pikërisht në vendet që e ulën pragun për të drejtën e votës.
Instituti i politikave i Parlamentit Evropian thekson se ulja e moshës së votimit është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.
Në mesin e metodave të tjera, ai përmend edhe vendosjen e kuotës për të rinjtë; mundësimin e votimit online ose me postë; uljen e moshës për kandidim, apo promovimin e edukimit qytetar në programet shkollore.
“Disa argumentojnë, gjithashtu, se kufiri më i lartë i moshës për kandidim, mund të jetë pengesa kryesore për pjesëmarrjen e të rinjve. Demokracia evropiane është shumë më tepër sesa thjesht votimi – është gjithashtu angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në procese demokratike. Me kalimin e viteve, duket se pjesëmarrja politike ka evoluar, veçanërisht te të rinjtë”, thotë Instituti i politikave i Parlamentit Evropian.
Rëndësia e pjesëmarrjes së votuesve të rinj
Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit do të jenë më shumë se 20 milionë votues për herë të parë në të gjithë BE-në.
Gjermania ka një numër veçanërisht të lartë të votuesve për herë të parë – më shumë se 5 milionë.
Luise Quaritsch, nga Qendra Jaques Delor në Berlin, vlerëson se nuk ka gjasa që vota e të rinjve t’i ndryshojë ndjeshëm rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve.
Sipas saj, votuesit e rinj në BE, në përgjithësi, ndihen pesimistë për të ardhmen e tyre dhe mendojnë se politikanët nuk i përfaqësojnë në mënyrë adekuate.
Megjithatë, ajo shton se pikërisht mospjesëmarrja e të rinjve do të ndikonte në parandalimin e një skenari të pritur, përkatësisht rritjen e rrymave ekstreme në përbërjen e re të Parlamentit Evropian.
Partitë e tilla, sipas saj, dinë se si të depërtojnë te brezat e rinj.
“Partitë populiste dhe ekstremiste mund të përfitojnë nga kjo gjendje. Fushatat në mediat sociale, veçanërisht në TikTok, mund të jenë gjithashtu një faktor ndikues, sepse arrijnë te të rinjtë”, thotë Quaritsch për Radion Evropa e Lirë.
Ajo është e mendimit se edhe vendet e tjera anëtare të BE-së duhet ta ndjekin shembullin e pesë vendeve të bllokut dhe ta ulin moshën e votimit.
Sipas saj, kjo do të ndikonte që në të ardhmen të kishte pjesëmarrje më të lartë të votuesve të rinj.
“Kjo është një fushë ku rregullat e votimit duhet të harmonizohen në të gjithë BE-në. Rregullat e ndryshme të moshës së votimit midis shteteve anëtare, i lënë qytetarët e BE-së me mundësi të pabarabarta për pjesëmarrje”, thotë Quartisch.
Vetëm 6% e përfaqësuesve evropianë janë nën 35 vjeç
Sipas Forumit Rinor Evropian, i cili mblodhi të dhëna publike, të rinjtë janë grup-mosha më e papërfaqësuar në Parlamentin Evropian.
Ndërsa një në pesë evropianë është midis 18 dhe 35 vjeç, vetëm një në pesëmbëdhjetë – ose vetëm 6% e deputetëve – është në të njëjtën grup-moshë.
Në anën tjetër, një në pesë evropianë është midis 51 dhe 65 vjeç, por numri i deputetëve që përfaqësojnë këtë grup-moshë në Parlamentin Evropian, është dy herë më i lartë, përkatësisht 42 për qind.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL