Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur sot që të lërë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, në nëntor 2019.
Ndërsa, për mikun e tij Ariol Halilaj Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin me 35 vite burg.
Të dy akuzohen për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit në autostradën Durrës-Tiranë, ku u plagos prokurori Arjan Ndoji, aktualisht i shkarkuar nga vetingu, paagjeri tjetër Aleksandër Laho, njohur si “Rrumi i Shijakut”, si dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë.
Njoftimi i Apelit të GJKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 04.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 11 akti, datë 17.01.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit R.Rr., A.H., kundër vendimit nr. 52, datë 25.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
1.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
1.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.
1.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës A.N., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.
1.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit A.M. dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës A.L. (P.M.), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
1.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
1.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit R.Rr. me burgim të përjetshëm.
1.7 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri R.Rr., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
2.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.
2.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës A.N., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.
2.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit A.M. dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës A.L. (P.M.), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.
2.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
2.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit A.H. me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.
2.7 Vuajtja e dënimit për të pandehurin A.H. do të fillojë nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.46, datë 05.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2.8 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri A.H., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.
Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, lidhur me provat materiale të sekuestruara gjatë hetimeve, bashkuar me fashikullin e gjykimit sipas urdhrit “Për bashkimin e sendeve dhe provave materiale me fashikullin gjyqësor”, datë 22.01.2021 si dhe të gjitha provat materiale të sekuestruara sipas procesverbaleve përkatëse, gjykata disponon për lënien në ruajtje të tyre për llogari të procedimit penal të ndarë me nr.184/1, viti 2021 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, iu ngarkohen të pandehurve solidarisht.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi”.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të Vendimit nr. 52, datë 25.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.