Vendosni fjalën kyçe....

Berisha – kritikëve: Të lëmë ndasitë, jemi në emergjencë ekzistenciale


Kreu i Rithemelimit Sali Berisha i ka kërkuar kritikëve të tij që të lënë ndasitë mënjanë dhe të bashkohen.

Sipas Berishës situata është në kushtet e një emergjence ekzistenciale

Nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie prej më shumë se 155 ditësh, Berisha tha se ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale duke kërkuar bashkimin rreth tij.

Në 33 vite karrierë politike, kurrë ndonjëherë, një mesazh i imi, nuk ka qenë më emergjent se ky mesazh i sotëm për ju dhe mbarë shqiptarët. Në 33 vite karrierë, kurrë ndonjëherë, një thirrje e imja, nuk ka qenë kaq jetike se kjo që bëj sonte në emër tuaj dhe të PD.

Prandaj fjalët e mia sot shkojnë në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo qytet, në mbarë vendin. Këto fjalë shkojnë për çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë.

Këto fjalë shkojnë për zemrat e çdo shqiptari. Çdo njeriu, që nën deje ka gjak shqiptari.

Demokratë dhe opozitarë të tjerë. Socialistë dhe pa parti. Këto fjalë u shkojnë partive të mëdha dhe partive të vogla. Shoqërisë civile, emigracionit dhe diasporës. Të rinjve dhe të moshuarve. Nënave dhe baballarëve. Vëllezërve dhe motrave.

Por këto fjalë shkojnë edhe për kritikët e Berishës.

Ka momente në histori, që ndasitë duhen lënë mënjanë. Ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale. Për çdo popull, vjen një moment në histori kur ndodhet përpara pyetjes: “Të jesh apo të mos jesh?”

Ky është ai moment për kombin shqiptar! Dhe sot çdo shqiptar duhet t’i shohë gjërat siç janë”, tha Berisha.