Vendosni fjalën kyçe....

Vizita e Giorgia Melonit, pritet në Gjadër nga kryeministri Rama dhe personeli italian


Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u prit në Gjadër nga kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshë Taulant Balla dhe personeli italian i cili është angazhuar për punimet e kampit.

Meloni shoqërohet edhe nga ambasadori italian, Fabrizio Bucci.

Kryeministrja e Italisë mbërriti në aeroportin Nënë Tereza  (ora 11:24) dhe nga aty u nis me helikopter drejt Gjadrit, ndërkohë kryeministri Edi Rama mbërriti me makinë.

Më pas do të shkojnë në Shëngjin për të inspektuar qendrën pritëse të emigrantëve  që shpëtohen në det

Punimet për qendrën pritëse në Shëngjin përfunduan një ditë para vizitës së Melonit, aty ku edhe kryeministri Edi Rama dhe Giorgia Meloni pritet të mbajnë një konferencë për shtyp.

Në zonën e Gjadrit në Lezhë,vijojnë punimet e kampit të pritjes së emigrantëve, që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit. Këtu janë përfunduar deri tani 30% e punimeve.

Më pas në qendrën pritëse në Shëngjin do mbahet konferenca Rama-Meloni. Konferenca është caktuar të mbahet në 12:00.

Masat për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kanë nisur prej të hënës (3 qershor), pasi në Portin e Shëngjinit kanë mbërritur tashmë oficerë të policisë italiane.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit të emigrantëve do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë që do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e refugjatëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit. Qendra pritëse do të ketë një kapacitet 3 mijë vende, ndërsa në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do t’i largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.

Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është çuar përpara mes shumë debateve dhe kontestime nga politika dhe opozitat e të dyja qeverive.

Në vendin tonë, opozita e ka cilësuar si anti-kushtetuese me pretendimin se cenon integritetin territorial të vendit, ndërsa në vendin fqinj është folur për shifra të fryra që do të rëndojnë në buxhet,  pa zgjidhur problemin real të emigrantëve të paligjshëm.