Vendosni fjalën kyçe....

Giorgia Meloni në Shqipëri, inspekton qendrat e emigrantëve krah kryeministrit Rama:“Shembull për BE-në”


Paraditen e sotme Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni erdhi vetë në Lezhë për të parë nga afër dy qendrat ku do të akomodoehn emigrantët që do të shpëtohen në det sipas marrëveshjes firmosur në nëntorin e vitit të kaluar.

Kryeministrja e Italisë mbërriti në aeroportin Nënë Tereza  (ora 11:24) dhe nga aty u nis me helikopter drejt Gjadrit, ndërkohë kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëronin shkuan me makinë.

Delegacioni i kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe delegacioni i kryeministrit shqiptar Edi Rama shkuan në Shëngjin ku inspektuan qendrën e pritjes së emigrantëve financuar me paratë e qeverisë italiane.

Më parë delegacioni i kryeministres italiane që shoqërohej edhe nga ambasadori italian, Fabrizio Bucci shkoi të shikonte dhe punimet në Gjadër ku po ngrihet kampi i pritjes.

Konferenca për median e dy kryeministrave u mbajt në Shëngjin, aty ku tashmë është gati qendra e pritjes, ndalesa e parë e emigrantëve që do të shpëtohen në det, ndërsa vijojnë punimet për të ngritur kampin në Gjadër ku dhe emigrantët do të qëndrojnë për të paktën 28 ditë sa do të kryhen procedurat për tu pranuar në Itali apo për tu riatdhesuar në shtetin nga kanë ardhur.

Rama tha se Shqipëria ndihet krenarë për ndihmën që i dha Italisë, ndërsa fjalën e tij para gazetarëve e nisi me reagimet indinjuese të trazimit që shkakoi emisioni i Rai3 për marrëveshjen e firmosur më 6 nëntor nga ai dhe kryeministrja Meloni.

“Duke cituar kreun e SPAK nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë struktura që u ngjajnë organizata mafioze të llojit Cosa Nostra, Camorra. Sepse grupet kriminale shqiptare nuk kanë hierarki të tyre. Nuk mund të mos shpreh trishtim për gjysmë të vërtetat e thëna për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive në luftën kundër emigrantëve. Duhet të kenë turp që të drejtën demokratike e shndërruan në një abuzim të pushtetit të katërt në kurriz të shqiptarëve e italianëve” tha Rama nënvizuar krenarinë e Shqipërisë për të ndihmuar Italinë në përballimin e cështjes së emigracionit.

Kryeministri Edi Rama e quajti një marrëveshje zemre, pa kërkuar asnjë euro në këmbim për të ndihmuar aleatin dhe mikun e madh të Shqipërisë, Italia.

“Nuk ka kalkulime të asnjë natyre, pastaj funksionon apo jo apo si do të zgjidhen do i provojë koha. Ama është marrëveshje zemre në raport me një miqësi strategjike. Mos u shqetësoni nuk do të ndodhë asgjë. Sic nuk ndodhi kur erdhën mijëra aftganë, se do të ndodhë gjëma, ndërkohë që shqiptarët i pritën mirë ndërsa ata që janë në opozitë  këtë punë kanë se janë pa punë”  tha Rama krah kryeministres italiane Giorgia Meloni

 

Nga ana tjetër edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni falenderoi Shqipërinë për ndihmën.

“Shpresoj të jetë shembull për BE-në” tha ajo duke e quajtur sulmin e Rai3 ‘Fushata denigruese të pamerituar”  por shtoi se shënjestra nuk ishte Rama duke lënë të kuptohej se ishte ajo, dhe e gjithë fushata ishte pjesë e luftës së politikës së brendshme italiane në kuadër të zgjedhjeve për parlamentin europian.

Nuk është ai shënjestra sepse italianët e kuptojnë i janë mirënjohur Shqipërisë për këtë përpjekje të rëndësishme për të na dhënë një ndihmesë…”tha Meloni.

Kryeministrja Meloni parashikon që qendrat  do të hapen më 1 gusht 2024 duke treguar edhe kostot.

“Dy muajt e vonesës u shkarkuan për shkak të terrenit disi të vështirë në Gjadër, por nga ana tjetër qendrat do të shërbejnë dhe si zgjidhje e problematikave që hasin prej 1991.  334 mln euro në vit që përbëjnë 7.5% të trajtimit të emigrantëve në territorkombëtar.  Nuk po bëjmë kosto por investim… Qendrat do të jenë operative prej datës 1 gusht, flitet për 1 mijë vende, deri në 3 mijë sic kemi rënë dakord “  tha Meloni.

Në konferencën me homologen italiane Meloni, kryeministri Rama u ndal edhe në strehimin e afganëve në vendin tonë, për të cilët tha se kanë mbetur edhe 350. Rama tha se i hapën derën afganëve, ndërsa vende europiane i kthyen shpinën dhe Shqipëria mori përsipër një riskun që afganët të mbesnin në vendin tonë.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek SHBA, duke thënë se “nuk do ishte çudi që t’i linte afagnët këtu, pasi duke qenë shumë të mëdhenj e harrojnë zotimin”.

Rama tha se për afganët paguajnë hotelin dhe nuk thonë hajdeni merrini se do i hedhim në det.

Kryeministri u shpreh se edhe kur Shqipëria ka pasur nevojë Italia i hapi dyert, kur të gjithë largoheshin nga ferri i komunizmit. Sa i takon Marrëveshjes, Rama shtoi se nuk bëjnë zë për 3 mijë njerëz që janë në vështirësi dhe bien pre e trafikantëve të qenieve njerëzore.

“E thash më parë me rastin e afganëve, i morëm disa mijëra afganë menjëherë. Kur vende të NATO-s i refuzuan. Morëm përsipër një risk, që mund të na i linin gjithë këtu, s’do shite çudi që SHBA ta harrojë këtë zotim, se duke qenë shumë të mëdhenj e harrojnë zotimin, gjërat që edhe kanë ndodhur, se kam kritikë e kam konstatim. Ja që një pjesë e tyre lëviz, kemi rreth 350 që nuk pranohen atje janë këtu. E keni dëgjuar ju të themi hajdeni merrini se do i hedhim në det, jo i mbajmë në hotel dhe i paguajmë ne. Siç na kanë mbajtur ne kur kishim nevojë kur iknim nga ferri i diktaturës komuniste dhe përplaseshim në dyert e italianëve. Kështu është jeta, ka një kohë për të marrë dhe për të dhënë.

Ne kemi pasur italianë që ka pasur mundësinë të na japë shumë, ne kemi mundësi të japim pak, s’ka asnjë shqetësim në këndvështrimin tim. Ka edhe një pikë tjetër marrëveshja, janë 3 mijë vende fikse që mund të akomodohen në Gjadër. Aty do trajtohen sipas ligjeve dhe rregullave të Italisë demokratike dhe pastaj ata që do pranohen do shkojnë në Itali. Ata vende që do lirohen prej tyre do mund të rimbushen. Edhe sikur të themi Italia e mbyll me kaq ne s’mund të bëjmë asnjë zhurmë dhe asnjë naze për 3 mijë njerëz në hall dhe që janë viktima të trafikantëve që u marrin dhe lekun e fundit dhe i sjellin lakuriq. Gjyshërit tanë s’kanë dorëzuar asnjë hebre, ashtu siç kanë marrë në mbrojtje mijëra ushtarë italianë që i kërkonin nazistët, i fshehën derisa i përcollën për Itali. Këtu askush s’po rrezikon jetën, përkundrazi jeta juaj që ndiqni këto ngjatje bëhet edhe më interesante se keni dhe lajme dhe situata që mund t’i përshkruani”, tha Rama.

Në përgjigje të akuzave të mëhershme të gazetarëve italianë pas transmetimit të reportazhit RAI3, Rama shtroi pyetjen se përse gazetarët që kanë ardhur këtu, për të investiguar kampin e refugjatëve në Gjadër, nuk kanë evidentuar se ne jemi një vend që kemi pranuar të mbajmë afganët, në një kohë që asnjë vend i Europës nuk pranoi që t’i strehonte ata.

Jo shumë larg prej këtu në një hotel të madh jetojnë me shpenzimet tona, tashmë prej dy vitesh një komunitet afganësh. Janë gati 350, njerëz të cilët i janë larguar sistemit shtypës në Aganistan dhe që asnjë prej vendeve të BE-së nuk pranoi që t’i strehonte. Një shumicë e tyre janë strehuar në SHBA dhe Kanada, ndërkohë që cdo të premtë mbërrin një avion me 90 apo 120 persona, të cilët qëndrojnë këtu për një periudhë 3 deri në 6 muaj për të transferuar më pas.

Ata të cilët nuk arrijnë që të kalojnë filtrat mbeten të strehuar pranë nesh, dhe as nuk do t’i largojmë ata apo t’ju kërkojmë para nga NATO që i bëri ata ta largohen për demokracinë dhe ëndrrat e bukura që nisën në Afganistan, dhe as nga Bashkimi Europian. Edhe pse më duhet t’ju rrëfej se këto para nuk janë edhe shuma aq të vogla për arkën tonë. Por si ta shpjegojmë faktin se disa gazetarë investigativë, vijnë këtu dhe nuk shohin emigrantët që i kanë ikur vdekjes por shohin fantazma”,- u shpreh Rama.

Pas konferencës për media të kryeministres italiane Georgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, ndodhi incident, pasi një deputet i së majtës italiane ka protestuar në mënyrën e tij.

Ishte deputeti Riccardo Magi nga partia Piu Europa ka kritikuar marrëveshjen, teksa ka pasur edhe një letër në dorë ku thuhet “Jo Guantanamos italiane”.

“Bëtë viktimat për një orë pa iu përgjigjur asnjë pyetje se si do të funksionjë kjo qendër. Ju po bëni fushatë. Badigardët tuaj s’po më lejojnë e po më dhunojnë. Nëse kjo i ndodh një deputeti, imagjinoni se çfarë mund t’i ndodhë një emigranti.,” – u shpreh ai.