Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi sot në Berlin porosinë për 20 avionë të rinj Eurofighter. Ai premtoi “porosi të sigura” për industrinë e armëve, në mënyrë që kapacitetet e prodhimit të mund të zhvillohen në Gjermani dhe Evropë.
“Qeveria federale ka interesin më të madh për një industri të fortë të hapësirës ajrore në Gjermani dhe Evropë”, tha Scholz në Berlin në hapjen e International Air Show (ILA).
“Kjo është arsyeja pse ne do të porosisim edhe 20 Eurofighter të tjerë përpara përfundimit të legjislaturës, përveç 38 avionëve aktualisht të porositur”, shtoi kancelari. Ai foli për një “kthesë” të nevojshme në industrinë e mbrojtjes. Para katër vjetësh u porositën 38 avionë të tillë të prodhimit evropian. Dorëzimi i këtyre avionëve në vlerën rreth 5,5 miliardë euro do të ndodhë në vitet 2025 dhe 2030.
Nevojitet bashkëpunim më i ngushtë në Evropë
Për arsye kohe, disa sisteme armësh tani blihen nga partnerë që tashmë kanë produkte të disponueshme në treg. “Për disa gjëra ne thjesht nuk mund të presim. Megjithatë, shpejtësia është vetëm një aspekt i rëndësishëm.” Qeveria do të mbështesë gjithashtu mundësi të reja, për shembull për eksportin e Eurofighter. “Jam shumë i përkushtuar për ruajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese”, deklaroi ai, duke iu referuar industrisë së armatimit.
Një bashkëpunim më i ngushtë midis partnerëve evropianë është gjithashtu i nevojshëm. “Në Evropë, ne thjesht nuk mund të përballojmë më të kemi një numër dukshëm më të madh të sistemeve të armëve konkurruese sesa, për shembull, SHBA,” tha kancelari për këtë temë. Duhet të ketë më pak sisteme që pasqyrojnë pikat e forta të industrive të ndryshme.
Scholz tha: “Ne do të arrijmë më pas ndërveprueshmërinë e nevojshme midis forcave të armatosura evropiane dhe një numri më të madh pjesësh”. Ai dëshiron që industria gjermane “të luajë fare në krye në ligat e mëdha”.
Scholz: “Realitet i ri në politikën e sigurisë”.
“Sot ne shohim më qartë se kurrë rëndësinë e një industrie mbrojtëse evropiane dhe gjermane të aftë për të prodhuar vazhdimisht të gjitha llojet e rëndësishme të armëve dhe municioneve të nevojshme”, tha kancelari gjerman.
Në Gjermani, politika e ka “neglizhuar shumë këtë fushë në të kaluarën”. Scholz tha: “Kjo i përket së shkuarës. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, e ka vënë të gjithë Gjermaninë para një realitet të ri të politikës së sigurisë.”
Hapësira është gjithashtu gjithnjë e më e rëndësishme
Scholz i quajti gjithashtu fluturimet në hapësirë gjithnjë e më të rëndësishme, prandaj edhe Zyra Kancelarore do të kujdeset për to. Nisja e afërt e raketës bartëse të Ariane A6 “më në fund” do t’i lejojë Evropës të rifitojë akses në hapësirë, me një sistem bartësish të mëdhenj dhe të sigurojë sovranitet teknologjik në një zonë që është vendimtare për konkurrencën e saj.
“Aftësia për të vepruar në çdo kohë, përfshirë në hapësirë, dhe për të vendosur satelitë në orbitë është thelbësore në aspektin tregtar, por edhe në aspektin e politikës së mbrojtjes,” paralajmëroi ai. Të nevojshme janë sisteme të vogla, të besueshme dhe inovative për të nisur satelitë në hapësirë, tha Scholz, duke iu referuar startimeve të para të të ashtuquajturve mikrohedhës gjermanë këtë vit. Këta të fundit dërgojnë mikrosatelitë në hapësirë.
“Evropa ka nevojë për mega-konstelacionin e saj të satelitëve qoftë për internetin e gjërave apo për drejtimin dhe fluturimin autonom të së nesërmes”, kërkoi më tej kancelari, duke pasur parasysh rrjetet e mëdha satelitore si Starlink, të krijuar nga Elon Musk në SHBA./DW