Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata thërret gruan e kryeministrit Sanchez mbi akuzat për korrupsion


Një gjykatë e Madridit ka thirrur Begona Gomez, gruan e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, për t’u paraqitur para një gjyqtari më 5 korrik mbi akuzat për korrupsion dhe ndikim që e shtyu bashkëshortin e saj të konsideronte dorëheqjen në prill.

Kërkesa u bë si pjesë e një hetimi paraprak nëse ajo kishte përdorur pozicionin e saj për të ndikuar në marrëdhëniet e biznesit, tha gjykata të martën.

Sanchez tha në fund të prillit se do qëndronte në detyrë, pas një ndërprerjeje prej pesë ditësh nga detyra për të menduar dorëheqjen ndërsa gjykata hetonte gruan e tij, një hetim që ai tha se ishte i pabazë dhe i orkestruar nga kundërshtarët politikë të krahut të djathtë.

Në një letër të shpërndarë në X të martën, Sanchez tha se i dukej “e çuditshme” që gjykata vendosi të thërriste gruan e tij vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të kësaj fundjave dhe se opozita e krahut të djathtë po përdorte gjithçka në fuqinë e saj për ta thyer atë.

“Dua t’ju them se vendimi im për të vijuar udhëheqjen e qeverisë është më i vendosur se kurrë,” shtoi Sanchez.

Opozita ka kërkuar, në raste të ndryshme, dorëheqjen e Sanchez, i cili drejton qeverinë e koalicionit të pakicës së majtë të Spanjës.

Çështja u ngrit në një ankesë private nga “Manos Limpias” (Duart e Pastra), një grup aktivist kundër korrupsionit i udhëhequr nga Miguel Bernad, një avokat dhe politikan i cili ka qenë kandidat për një parti të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane.

“Manos Limpias” pretendoi se Begona Gomez përdori ndikimin e saj si gruaja e kryeministrit për të siguruar sponsorë për një kurs masteri universitar që ajo drejtonte.

Gomez nuk ka bërë asnjë koment publik që kur gjykata hapi hetimet në fund të prillit.

Rasti ka shkaktuar pasoja ndërkombëtare. Muajin e kaluar, Spanja tërhoqi ambasadorin e saj në Buenos Aires pasi presidenti i Argjentinës Javier Milei e quajti Gomezin ‘të korruptuar’ gjatë një mitingu të ekstremit të djathtë në Madrid. Argjentina ka mbajtur ambasadorin e saj në Madrid.