Hamasi nuk mund të pajtohet me asnjë marrëveshje nëse Izraeli nuk bën një zotim “të qartë” për një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës, tha të martën një zyrtar i lartë nga grupi militant palestinez.
Katari, i cili së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin ka ndërmjetësuar bisedimet midis Hamasit dhe Izraelit, i ka kërkuar gjithashtu Izraelit të sigurojë një pozicion të qartë që ka mbështetjen e të gjithë qeverisë së tij për të arritur një marrëveshje.
“Ne nuk mund të pajtohemi me një marrëveshje që nuk siguron e garanton një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe përfundimin e një marrëveshjeje të vërtetë serioze shkëmbimi në përputhje me rrethanat,” tha Osama Hamdan, një zyrtar i Hamasit, në një konferencë për shtyp në televizion.
Një propozim trefazor i paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden të premten përfshin në fazën e tij të parë një armëpushim gjashtëjavor ku forcat izraelite do tërhiqen nga “të gjitha zonat e populluara” të Gazës dhe lirimin e disa pengjeve, përfshirë të moshuarit dhe grate, do lirohen në shkëmbim për qindra të burgosur palestinezë.
Sipas këtij plani, Hamasi dhe Izraeli do negociojnë në të njëjtën fazë një armëpushim të përhershëm për të cilin Biden tha se do zgjasë “për aq kohë sa Hamasi përmbush zotimet e tij”.
Në fazën e dytë, Biden tha se do kishte një shkëmbim për të gjithë pengjet e mbetura të gjallë, duke përfshirë ushtarët meshkuj, forcat izraelite do tërhiqen nga Gaza dhe do fillonte armëpushimi i përhershëm.
Hamasi ka thënë më parë se e shikonte përmbajtjen e propozimit pozitivisht.
Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se nëse Hamasi pranonte planin e propozuar, priste që Izraeli të ndiqte shembullin.
Faza e tretë në propozim do përfshijë një plan të madh rindërtimi për enklavën, e cila është shkatërruar nga tetë muaj luftë dhe kthimin e mbetjeve të pengjeve të vdekur te familjet e tyre.