Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Rumani, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u prit nga homologia, Luminita Odobescu.
Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen e Rumanisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, teksa vuri theksin tek nevoja për përshpejtimin e procesit të integrimit për rajonin.
“Rumania do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE, jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike, duke përcjellë përvojën rumune. Plani i Veprimit për Bashkëpunimin për dy vitet e ardhshme parashikon Integrimin Evropian si një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh”, tha kryediplomati shqiptar.
Në fjalën e tij gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp, Ministri Hasani u ndal edhe në rolin e komunitetit shqiptar në Rumani dhe minoriteti arumun që jeton në vendin tonë, si dy elementë të rëndësishëm që zënë një vend të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ministri Hasani dhe homologia rumune Odobescu nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e trajnimeve diplomatike.
Gjatë vizitës së tij në Rumani, Ministri Hasani dhe Ministrja për Punën dhe Mbrojtjes Sociale, Simona Brucura Oprescu, nënshkruan “Marrëveshjen administrative për zbatimin e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore”. Kjo marrëveshje do të garantojë qytetarët e të dyja vendeve të përfitojnë nga kontributet e tyre dhe të marrin pensionet. 700 qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Rumani përfitojnë nga kjo marrëveshje.
Në të njëjtën kohë, po punohet për të finalizuar marrëveshjet në fushën e arsimit dhe kulturës, ndërkohë që mes dy vendeve është rritur ndjeshëm numri i turistëve.
Falë fluturimeve direkt Tiranë-Bukuresht dhe anasjelltas, gjatë vitit 2023, numri i turistëve rumunë në Shqipërisë u rrit me 62%, ndërsa vetëm gjatë periudhës janar-maj 2024 kjo shifër arriti në 172%.