Këto ditë, maturantët po u nënshtrohen provimeve përmbyllëse në studimet e detyrueshme të ciklit parauniversitar, por të dhënat zyrtare nga Ministria e Arsimit tregojnë se numri i tyre gjatë 10 viteve të fundit ka pësuar rënie me 34%.
Në vitin 2014, në provimet e maturës morën pjesë 42,318 nxënës, ndërsa këtë vit, rreth 28 mijë maturantë, 14 mijë më pak ose -34%.
Numri i maturantëve këtë vit rezulton të jetë reduktuar me 7% në krahasim me vitin 2023. Reduktimi i të rinjve maturantë do të thotë më pak studentë në universitetet e vendit në të ardhmen. Shumë degë, sidomos ato të mësuesisë, rrezikojnë të mbyllen.
Vitin e kaluar u regjistruan në universitet rreth 22 mijë maturantë, nga rreth 30 mijë gjithsej, teksa shifrat sugjerojnë se këtë shtator, numri i të rinjve drejt auditorëve do të jetë edhe më i ulët.
Nga ana tjetër, tregu i punës po vuan nga mungesa e punonjësve dhe aftësive në të gjithë sektorët. Reduktimi i fuqisë punëtore dhe rënia e cilësisë mësimore (testi PISA 2022) pritet të vështirësojë edhe më shumë situatën, teksa bizneset dhe qeveria janë angazhuar që të përmbushin mungesat me punonjës të huaj.
Zhvillimet demografike lajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të thellohet rënia e numrit të maturantëve dhe studentëve.
Rënia e lindjeve, emigracioni i përqendruar në moshat e reja, pritet të çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023.
Ekspertët sugjerojnë se kjo tendencë nuk duhet konsideruar si një sfidë, por një shans për të rritur cilësinë e studimeve në universitetet dhe për t’iu kthyer atyre funksionet që u takojnë në dije dhe në angazhimin në shkencë.
Zhvillimet demografike dhe ato të teknologjisë tregojnë se në dekadat në vijim, degët e TIK-ut dhe të shëndetit do të jenë ofruesi i madh i vendeve të punës në të gjithë botën. Kjo tendencë po vihet re edhe tek universitetet shqiptare në të cilat në vitet e fundit ka një përqasje më të mirë për të përzgjedhur.
Në Universitetin e Tiranës, programi i studimit që kishte më shumë interes ishte informatika me Financa, Informatika Ekonomike dhe Drejtësia që pothuajse ezauruan kuotat që në raundin e parë, ndërsa degët që kishin më pak interes ishin gjuhët e huaja, ku në raundin e parë mbeten mbi 90 për qind të kuotave të lira.
Gjithashtu degë të tilla si shkencat politike, Fizika, Historia, Gjuhë -letërsia, arkeologjia, Biologjia, Filozofia kishin mbi 70-80 për qind të kuotave të lira në raundin e parë./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor