Vendosni fjalën kyçe....

Zhvillohet gara “Vrapo për Autizmin”, Veliaj: Vetëm një qytet që i pranon të gjithë, është një qytet i mirë


Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua gara e vrapimit “Run for Autism”, kushtuar ndërgjegjësimit për Autizmin. Ky aktivitet u organizua për të dytin vit radhazi nga Ambasada e Italisë në Tiranë, në kuadër të “Javës së Kulturës Italiane”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se një qytet i mirë, është një qytet që i pranon të gjithë, pa diferenca.

 “Secili prej nesh ka sfidat e tij, e ca mund të kenë më shumë sfida sesa të tjerët. Ndaj, ëndrra ime është për një qytet ku njerëzit besojnë në Zotin që duan, të duan personin që duan, dhe sfidat t’i zgjidhin në mënyrën sesi ata e shikojnë më të arsyeshme, sepse vetëm një qytet që i pranon të gjithë, pa bërë diferenca, është një qytet i mirë. Më vjen mirë kur shoh se si fëmijët sillen në çerdhe, në kopshte, në klasat fillore, pa qenë diskriminues, e përqafojnë njëri-tjetrin ashtu siç janë”, tha ai.

Kryebashkiaku falenderoi të gjithë ata që mbështesin këto nisma, teksa theksoi se në kuadër të “Javës së Kulturës Italiane” po organizohen një sërë aktivitetesh në Tiranë.

 “Ne jemi këtu për të bërë tifo për engjëjt tanë, engjëjt më të vegjël të qytetit, që pavarësisht sfidave, janë këtu për të vrapuar, për të na provuar se nuk dorëzohen, për të na treguar të gjithëve se ata e bëjnë qytetin më të plotë. Pa ata, qyteti nuk do të ishte qyteti me zemër të madhe që është sot. Falenderoj kolegët e “Javës së Kulturës Italiane” sepse ka qenë leksion i madh bashkëpunimi për të vrapuar për autizmin, për të na treguar se kultura nuk është vetëm këngë e valle, kultura fillimisht është mentalitet i ri, mentalitet i hapur, mentalitet gjithëpërfshirës. Në këtë javë të kulturës italiane do të ketë filma, kemi koncertin e Diodato-s, do të ketë pritje, aktivitete nga më të ndryshmet, por unë besoj se aktiviteti më i bukur është të vrapojmë për autizmin, sepse na bën të gjithëve të vrapojmë fillimisht në mentalitetin tonë për të qenë më gjithëpërfshirës, më zemërhapur, më mendjehapur”, tha Veliaj.