Vendosni fjalën kyçe....

Arqile Bollano emërohet kryebashkiak i komanduar i Himarës


Arqile Bollano është emëruar në krye të Bashkisë së Himarës duke qenë kryebashkiak i komanduar pas dorëheqjes së Blerina Balës. Bollano u zgjodh nga Këshilli Bashkiak i Himarës ndërsa ishte në garë bashkë me Pervin Gjikurian, i cili u tërhoq nga gara sot.

“Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi gjithë punën për të bërë. Nuk ka vend për llafe por ka vend vetëm për punë. Kemi shumë gjëra për të bërë. Unë kam përgjegjësi të madhe dhe kjo do tregohet në vazhdimësi”, tha Bollano.

Bollano mori 12 vota pro nga Këshilli Bashkiak i Himarës për të qenë kryetar i komanduar dhe 9 vota kundër. Këshilltarët e djathtë e kundërshtuan zgjedhjen duke thënë se kryebashkiak i zgjedhur i Himarës është Fredi Beleri.

Ky i fundit është në burg dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023. Ai e ka apeluar dënimin dhepritet vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme. Nëse Apeli lë në fuqi dënimin atëherë Himara do zhvillojë zgjedhje të reja lokale.