Kreu i Rithemelimit tha nga arresti në shtëpi se Shqipëria është narktoshtet me kryeministrin Rama që ka emëruar si ministra të Brendshëm tre emra të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Nga dritarja e banesës ku ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023, ai tha sipas SHISH 185 oficerë policie ishin angazhuar në kanabizimin e vendit.
Më tej Berisha akuzou kryeministrin Rama dhe vëllain e tij, Olsi Rama për lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë. Berisha tha gjithashtu se transporti i kokainës nga Amerika e Jugut bëhet në ngarkesa bananesh ose të plehut kimik.
“A nuk u emërua në krye të ministrisë së rendit, skafo-ministri i parë në 32 vite, i cili veturën dhe skafin ua dha tezakëve Habilaj për të bërë trafiqe, në të cilat ministri merrte përqindjen e tij dhe përqindjen e madhe ia dërgonte edhe Edi Ramës. A nuk informoi parlamentin, SHISH se 185 oficerë policie, nga të cilët 125 madhorë, ishin angazhuar në kanabizimin e vendit? Krahas kanabizimit, a nuk nisi Edi Rama sa erdhi në pushtet me instalimin e fabrikës më të madhe në Ballkan të përpunimit të kokainës në Xibrakë, nga një grup i drejtuar nga njerëz shumë të afërt me Edi Ramën, vëllai i tij Olsi Rama, Ermal Hoxha, Genti Xhixha? Pas Saimir Tahirit, a nuk u emërua në krye të rendit, Fatmir Xhafaj, tashmë jo tezak i trafikantëve siç ishte Saimir Tahiri me Habilajt, por vëllai i Gerond Xhafës, narkotrafikantit ndërkombëtar, bos i trafikut ndërkombëtar në Bolonja dhe Venezuelë. A nuk është sot në krye të rendit Taulant Balla, i lidhur së paku me dokumente të pakundërshtueshme me tre dhe më shumë grupe më të rrezikshme të trafikut të drogës në Shqipëri/ Po pse mo socialistë, nuk kishte socialistë të ndershëm dhe guximtarë që të emërohej në vend të Saimir Tahirit, Fatzi Xhafës, Taulantit me 5 mbiemra? Po i emëron droga mo zotëri. A nuk është dhjetëfishuar konsumi i bananeve dhe plehut kimik në Shqipëri? Banania dhe plehu kimik janë tashmë bartësit më kryesorë të trafikut të kokainës.” – tha Berisha.