Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar falje homologut të tij Volodymyr Zelensky për vonesat në ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka premtuar 225 milionë dollarë në mbështetje.
Dyshja u takuan për bisedime në Paris, një ditë pasi të dy morën pjesë në përkujtimet e 80-vjetorit të zbarkimit të Ditës D në Normandi, Francë.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA tha se paketa e re e ndihmës do të përfshijë municione dhe raketa kundërajrore.
Biden tha se vonesat e mëparshme në ndihmë ishin shkaktuar nga disa republikanë në Kongres, por përsëriti mbështetjen e SHBA për Ukrainën.
“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju”, i tha Biden Zelenskyt. “Ju nuk jeni përkulur. Ju nuk jeni dorëzuar fare. Ju vazhdoni të luftoni në një mënyrë që është thjesht e jashtëzakonshme, thjesht e jashtëzakonshme.”
Në përgjigje, Zelensky theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA-në, duke thënë se janë thelbësore në luftën kundër Rusisë: “Ne llogarisim në mbështetjen tuaj të vazhdueshme për të qëndruar me ne krah për krah”.
Pas takimit me Zelensky, Biden mbajti një fjalim pasionant në Pointe Du Hoc, një vend në Normandi ku ushtarë amerikane u ngjitën në një shkëmb për të sulmuar një bastion nazist në “Ditën D”.
Presidenti amerikan foli për sakrificën e atyre që humbën jetën më 6 qershor 1944, duke thënë: “A dyshon dikush se ata do të donin që Amerika të ngrihej kundër agresionit të Putinit sot këtu në Evropë?”
“Ata po na kërkojnë të bëjmë punën tonë: të mbrojmë lirinë në kohën tonë, të mbrojmë demokracinë, t’i rezistojmë agresionit jashtë dhe brenda”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, Zelensky iu drejtua parlamentit francez, duke thënë se konflikti aktual me Rusinë nënkuptonte se Evropa “për fat të keq nuk është më një kontinent paqeje”.
Ai shprehu gjithashtu shpresën se një samit i organizuar në Zvicër më vonë këtë muaj mund të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti ukrainas do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij.
Duke folur në TV francez të enjten në mbrëmje, Macron tha se Parisi do të dërgojë avionë luftarakë Mirage 2000 në Ukrainë dhe do të trajnojë pilotët ukrainas. Ai tha se trajnimi mund të fillojë këtë verë.
“Ju duhet normalisht pesë apo gjashtë muaj. Kështu që deri në fund të vitit do të ketë pilotë. Pilotët do të trajnohen në Francë,” tha ai.
Macron tha gjithashtu se aleatët perëndimorë do të shqyrtojnë një kërkesë për të dërguar instruktorë ushtarakë për të trajnuar forcat ukrainase në terren.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se komentet e presidentit francez treguan se ai ishte i gatshëm të merrte një rol “të drejtpërdrejtë” në konfliktin e Ukrainës.
Zhvillimet e së premtes vijnë një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se Moska mund të armatosë vendet me synimin për të sulmuar objektivat perëndimore.
Putin e bëri deklaratën duke kritikuar dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Perëndimi në Ukrainë. Ai nuk specifikoi se cilat vende mund të furnizojë Moska me armë.
Disa vende, përfshirë SHBA-në, i kanë dhënë Ukrainës dritën jeshile për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Biden i ka dhënë Ukrainës lejen për të përdorur armët amerikane për të goditur objektivat në Rusi, por vetëm pranë rajonit të Kharkiv. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Ukraina nuk mund të përdorë raketa ATACMS me rreze të gjatë veprimi në tokën ruse.