Vendosni fjalën kyçe....

Fico fjalim të papritur tre javë pas atentatit, mesazh për opozitën dhe “mediat e e OJQ-të e Soros”


Kryeministri sllovak Robert Fico, i cili u qëllua disa herë në një atentat më 15 maj, postoi befas një video në Facebook në të cilën ai tha se nuk besonte se sulmi ndaj tij ishte kryer nga një “i çmendur i vetmuar”, duke fajësuar median dhe opozitën dhe njoftoi se ai do mund të kthehet në punë në fillim të korrikut.

Fico publikoi një video 14-minutëshe të mërkurën në mbrëmje, ditën e fundit para moratoriumit për zgjedhjet e BE-së në Sllovaki.

 “Më 15 maj, një aktivist i opozitës sllovake u përpoq të më vriste në Handlová për shkak të pikëpamjeve të mia politike,” pohoi Fico në video.

Ai pranoi se sulmi i kishte shkaktuar atij “dëmtime serioze në shëndet, operacione të përsëritura, shumë dhimbje dhe vuajtje” dhe se “do jetë një mrekulli” nëse ai mund të kthehet në punë pas disa javësh.

Megjithatë, ai tha gjithashtu se nëse gjithçka “shkon në mënyrë optimale”, ai mund ” të kthehet në punë në fund të qershorit dhe korrikut”.

Fico e fali personin që e qëlloi dhe fajësoi kundërshtarët për sulmin.

 “Unë e fal dhe e lë të reflektojë për atë që ka bërë dhe pse e ka bërë. Në fund, është e dukshme se ai ishte vetëm një lajmëtar i së keqes dhe urrejtjes politike, të cilën opozita politikisht e pasuksesshme dhe e frustruar e zhvilloi në Sllovaki në përmasa të pakontrollueshme”, tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se ishte e pritshme që “mediat anti-qeveritare, OJQ-të politike të financuara nga jashtë dhe opozita” do fillonin të minimizonin atentatin ndaj tij, duke thënë se ishte “vetëm një sulm nga një person i çmendur”.

 “Dua të kërkoj nga mediat antiqeveritare, veçanërisht ato që janë në bashkëpronësi të strukturës financiare të George Soros, të mos shkojnë kësaj rruge. Nuk kam asnjë arsye të besoj se ky ishte një sulm nga një i çmendur që veproi i vetëm,” tha ai, duke kujtuar se kishte paralajmëruar për mundësinë e një sulmi ndaj një anëtari të qeverisë së tij në prill.

Ai preku gjithashtu luftën në Ukrainë, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Sllovaki, vrasjen e gazetarit hulumtues Ján Kuciak në 2018 dhe përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe me Republikën Çeke dhe BE-në, të cilat ai i kritikoi për “anashkalmin e paralajmërimeve mbi persekutimin e Smer-it”.

Ai e përfundoi videon duke falënderuar njerëzit për mbështetjen dhe bëri një tjetër paralajmërim për opozitën.

“Nëse vijon si tani, tmerri i 15 majit, të cilin të gjithë patët mundësinë ta shihni praktikisht drejtpërdrejt, do vijojë dhe do ketë më shumë viktima. Nuk e vë në dyshim këtë”, tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Euractiv

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani