Gjermania duhet të përgatitet për të luftuar para fundit të dhjetëvjeçarit, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. Megjithatë, ushtrisë gjermane i mungojnë pajisjet bazë dhe një raport parlamentar sugjeron se nuk do jetë gati për luftë për gjysmë shekulli.
“Duhet të jemi gati për luftë deri në vitin 2029”, deklaroi Pistorius të mërkurën, gjatë një seance të parlamentit.
“Ne duhet të sigurojmë që të jemi gati për të parandaluar që gjërat të vijnë në pikën e tyre më të keqe,” shtoi ai, në komentet e bëra nga Der Spiegel.
Tani për tani ka rreth 181,000 anëtarë aktivë të Bundeswehr-it, siç njihet ushtria gjermane. Pistorius u tha ligjvënësve se ky numër duhet të rritet, përmes një “forme të re të shërbimit ushtarak që nuk mund të jetë plotësisht i lirë nga detyrimet”.
Gjermania hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011 dhe ringjallja e draftit ka treguar të jetë e vështirë për Pistorius. Pas peshimit të paketave të reformës ushtarake të paraqitura nga ministria e tij në prill, Pistorius njoftoi një plan muajin e kaluar për të nxitur më shumë adoleshentë për t’u bashkuar me Bundeswehr-in. Plani thuhet se është më i kujdesshmi nga tre të sugjeruar nga ministria dhe nuk përmend fjalën “rekrutim”.
Në vend të kësaj, do kërkonte që të gjithë 18-vjeçarët t’i përgjigjen një pyetësori në lidhje me gjendjen e tyre fizike, me kandidatët më premtues që do nxiten të regjistrohen dukë përfituar leje drejtimi falas dhe zbritje të kredisë studentore, ndër shpërblimet e tjera, raportoi Der Spiegel.
“Në raste urgjente, kemi nevojë për gra dhe burra të rinj të fortë që mund ta mbrojnë këtë vend,” tha ministri të mërkurën.
Përveç rritjes së rekrutimit, Gjermania ka luftuar gjithashtu për të pajisur me armë e mjete ata që tashmë shërbejnë. Pavarësisht zotimit të kancelarit Olaf Scholz në vitin 2022 për të shpenzuar 100 miliardë europër pajisjen dhe modernizimin e Bundesëehr-it, asnjë përmirësim i rëndësishëm nuk është bërë në dy vitet që nga ajo kohë, zbuloi në mars një raport vjetor nga komisionerja parlamentare për Bundesëehr-in, Eva Hoegl.
Sipas një dokumenti të Ministrisë së Mbrojtjes të parë nga gazeta gjermane Bild, urdhrat e Bundesëehr-it për uniforma, helmeta, çanta shpine dhe jelek antiplumb nuk u përmbushën plotësisht vitin e kaluar. Trupat gjithashtu kanë mungesë të syzeve të shikimit natën, thuhet në gazetë, duke vënë në dukje se një grup i destinuar për ushtarët gjermanë iu dërgua ushtrisë izraelite.
Nëse rigjallërimi ushtarak i Gjermanisë vijon me ritmin e tanishëm, “do duhej rreth gjysmë shekulli para se infrastruktura aktuale ushtarake të rinovohej plotësisht”, shkroi Hoegl në raportin e saj të vitit 2023 në parlament.