Vendosni fjalën kyçe....

Impianti fotovoltaik 13.8 MW në Vaun e Dejës, KESH dorëzon aplikimin në MIE


Shoqëria “SENA SOLAR ENERGY OF ALBANIA” SH.P.K që është pjesë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dorëzoi së fundmi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) aplikimin për impiantin fotovoltaik 13.8 MW që do të ndërtohet në Vaun e Dejës.

Ministria njoftoi se ky projekt tashmë pret komentet e palëve të treta përpara se të kalojë për miratim ndërkohë nuk është objekt koncesioni.

“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë: Shoqëria “SENA SOLAR ENERGY OF ALBANIA” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 13.8 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në rezervuarin e HEC Vau i Dejës, Bashkia Vau i Dejës, Qarku Shkodër.

Afati për dërgimin e komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë, duke nisur nga data e publikimit të këtij njoftimi në faqen zyrtare: www.infrastruktura.gov.al” thuhet në njoftimin e MIE.

Ky projekt parashikohet të financohet me një kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që tashmë ka marrë miratimin më herët ndërkohë që një pjesë e kostos do të mbahet edhe nga vetë kompania publike.

KESH është angazhuar viteve të fundit në disa projekte që kanë të bëjnë me energjinë nga burime fotovolatike si një mënyrë për të optimizuar prodhimin në kaskadën e Drinit që është tërësisht hidro. Më herët ka nisur prodhimin impianti i Qyrsaqit i cili në vitin e parë regjistroi një sasi prej 7019 MWH energji.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor