Vendosni fjalën kyçe....

Rregullorja e re, institucionet financiare që humbasin licencën do të kalojnë në likuidim


Këshilli Mbikëqyrës miratoi në mbledhjen e kësaj jave disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare Jobanka”.

Ndryshimet synojnë të plotësojnë më tej bazën rregullative për subjektet financiare jobanka, kryesisht për rastet pas revokimit të licencës dhe rregullon procedurat për likuidimin e portofolave të tyre të kredive.

Rregullorja e re parashikon se Banka e Shqipërisë, në rast të revokimit të licencës së subjektit financiar jobankë, fillon menjëherë procesin e likuidimit të portofolit të kredive të krijuar nga ushtrimi i veprimtarisë financiare në bazë të licencës.

Kjo rrugë do të ndiqet për të menaxhuar kreditë në portofolin e dy institucioneve financiare jobanka (MicroCredit Albania dhe Final) për të cilat Banka e Shqipërisë vendosi revokimin e licencës në fund të muajit maj.

Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë për emërimin e likuidatorit nga lista e administratorëve të falimentimit, ose persona të tjerë të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenet 112 dhe 113 të Ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

Departamenti i Mbikëqyrjes dhe grupi i punës i krijuar me urdhër të Guvernatorit do të kenë si detyrë kryesore të mbështesin likuidatorin në procesin e likuidimit, duke përgatitur paketën fillestare të informacionit për likuidatorin me informacionet e disponueshme nga raportimet e subjektit në Bankën e Shqipërisë, me qëllim njohjen e situatës financiare të subjektit të vendosur në likuidim.

Likuidatori do të raportojë pranë Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e procesit të likuidimit në baza periodike, minimalisht një herë në muaj dhe sa herë të kërkohet nga Banka e Shqipërisë.

Likuidatori gjithashtu duhet të kryejë ose autorizojë përditësimet e kredimarrësve të subjektit financiar jobankë në Regjistrin e Kredive.

Likuidatori ka të drejtë që pas revokimit të licencës dhe me fillimin e likuidimit të administrojë portofolin e kredive të subjektit financiar jobankë. Në rast shitjeje të portofolit, shitja duhet të kryhet nëpërmjet ankandit.

Likuidatori duhet të marrë të gjitha masat për likuidimin e portofolit të kredive të subjektit financiar jobankë, përfshirë dhe ruajtjen e evidencave (elektronikisht ose të mbajtura në formate të tjera).

Likuidimi i portofolit të kredive të krijuar në bazë të licencës së dhënë nga Banka e Shqipërisë duhet të bëhet në përputhje me planin e likuidimit. Plani i likuidimit hartohet duke mbajtur në konsideratë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit dhe hartohet nga likuidatori brenda afatit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

Plani i likuidimit depozitohet për miratim në Bankën e Shqipërisë. Departamenti i Mbikëqyrjes mund të paraqesë komente dhe vërejtje për planin e likuidimit, brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të tij në Bankën e Shqipërisë. Pas likuidimit të portofolit të kredive, likuidatori njofton Bankën e Shqipërisë për përfundimin e tij.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor