Deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili kryeson Komisionin Hetimor për TIMS, ka shprehur bindjen se janë verifikuar të gjitha akuzat e bëra nga opozita lidhur me abuzimin e sistemit të sigurisë së policisë përmes ndërhyrjeve të paligjshme nga ana e përfaqësuesve të policisë.
Gjatë deklaratës së tij, Salianji theksoi se rasti i drejtorit të IT-së, i cili ndodhet në arrest shtëpie për shkak të kopjimit të paautorizuar të sistemit në gusht 2023, tregon se ai nuk ka vepruar i vetëm.
Sipas tij, ky rast tregon se lidhjet e tij janë shumë më të larta se ç’duken në pamje të parë.
Salianji sugjeroi se ky rast është një dëshmi e qartë se ka pasur një ndërhyrje të organizuar dhe të miratuar nga nivelet më të larta brenda strukturave policore.
“Këto lidhje shpjegojnë pse ai nuk është shkarkuar asnjëherë, as kur u zbulua skandali, as tani që është në hetim.
Ka një standard të dyfishtë, sepse kur një polic kryen paligjshmëri, përjashtohet menjëherë, ndërsa për këtë rast, pavarësisht se ka shkelje, është ende në detyrë, me masën pezullim të kërkuar nga prokuroria.
Ai ka patur një pezullim vjet, kur Policia u njoftua për ndërhyrjen e paautorizuar të drejtorit në sistemin TIMS, por u rikthye sërish në detyrë.
Pra, nuk është punë e një personi, por ka një vullnet më të madh politik. Kemi dyshimin e arsyeshëm se kemi të bëjmë me grup të strukturuar, që shkon deri në nivelet më të larta të drejtimit politik dhe zyrtar të Policisë së Shtetit”, u shpreh Salianji për emisionin “Pa Censurë”.
Gjatë pyetjeve drejtuar Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë pse drejtori i IT nuk është shkarkuar ende, deputeti demokrat tha se nuk kishte marrë një përgjigje bindëse.
Sipas tij, ata nuk duhet ta kenë fuqinë për ta shkarkuar.
“Sot e kësaj dite, PS përmend një rast të qeverisë Berisha, kur Drejtori i Tatimeve atëherë mbahej në arrest shtëpie nga drejtësia dhe nuk shkarkohej nga qeveria.
Tani, ka jo vetëm 10 muaj që është kapur në shkelje Drejtori i IT-së së Policisë së Shtetit, por ka masë sigurie dhe ai është ende drejtor.
Përgjigja e autoriteteve më të larta politike dhe policore është se do të lënë të përfundojnë hetimet, pastaj do të vendosin. Por ata që në nisje të emërimeve kanë bërë një mal me paligjshmëri në emërim”, u shpreh Ervin Salianji.
Kreu i Komisionit Hetimor tha se policia i ka mundësuar personave në kërkim prej saj të shmangin sistemin dhe të kalojnë lirshëm në kufi.
Salianji tha se i bazon këto përfundime në dokumente zyrtare që provojnë abuzimin me sistemin e sigurisë TIMS.
“Ka pretendime nga drejtues të Policisë së Shtetit se sistemi TIMS ka qenë lehtësisht i aksesueshëm nga persona jashtë Policisë së Shtetit.
Kam dokumentacion zyrtar se persona të paautorizuar, që nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit, kanë pasur akses të paautorizuar në sistemin TIMS përpara ndërhyrjes së 1 gushtit 2023. Eprorët janë informuar se ka pasur individë që u kanë krijuar akses personave, të cilët nuk kanë lidhje fare me të qenit zyrtar i shtetit. Një dokument tjetër bën me dije se me kontaktin e duhur në Policinë e Shtetit, persona në kërkim kanë bërë të mundur që emri i tyre të mos dalë në sistem që janë në kërkim, kur ata kanë kaluar në pika kufitare”, u shpreh deputeti demokrat.
Sipas tij, ndihma që do të japë komisioni hetimor është e jashtëzakonshme, por i takon prokurorisë të zbulojë arsyet, nëse ka pasur porositës dhe nëse porositësit kanë qenë njerëz politikë apo të grupeve të strukturuara kriminale.
“Sipas informacioneve që ne do t’i konfirmojmë, të gjithë të dhënat policore, janë hakeruar në vitin 2022. Ne po punojmë për ta verifikuar dhe kemi dyshime të arsyeshme se kjo ka ndodhur realisht dhe që sistemi është prekur”, u shpreh Salianji.