Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj ironizon protestat e opozitës: Vetëm një stil dinë, molotov dhe djegie gomash


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka ironizuar protestat e opozitës përpara bashkisë dhe parlamentit.

Nga Njësia 2 në kryeqytet, ku nisi një tur mirënjohjeje për anëtarët socialistë, Veliaj u shpreh se kontrasti mes atyre që hedhin molotov dhe socialistëve është i qartë.

Sot s’ka kontrast më të madh. Ndërkohë dëgjon ata që dogjën goma në parlament, dogjën goma përpara bashkisë, u rikthye prapë epoka e Astirit, ti mendon se pasi rrihen në zgjedhje herë pas here, do ndryshojnë taktikë. Jo! Dinë vetëm një stil: shaj, shpif, hidh baltë, digj, rrihu, zihu me policinë, digj goma. Ajo historia e gomave është e pakuptueshme”, tha ai.

Veliaj u shpreh se opozita nuk njeh gjë tjetër veç shkatërrimit dhe bllokimit të punëve në qytet, duke sjellë në vëmendje edhe tentativat për të dhunuar godinën e Bashkisë, e cila është një monument i mbrojtur nga shteti.

Veliaj u ndal dhe tek nderimi i veprimtarit të çështjes kombëtare Remzi Hoxha, që u zhduk nga SHIK-u i Berishës.

Këta që sot na rrëmbejnë ditën e punës, rrëmbenin jetë njerëzish. Ne patëm mundësinë që të nderojmë me një emër në qytetin e Tiranës, një rrugë të rëndësishme “Remzi Hoxha”. Ai ishte një patriot i jashtëzakonshëm. Remzi Hoxha ishte në Shqipëri se mendoi që Shqipëria ishte vend i sigurt, mendoi se Shqipëria mëmë ishte një vend që s’të rrezikohej jeta. Dhe Remzi Hoxha, një ditë u zhduk nga qyteti. Dikush më tha: O kryetar, po pse kërkove ndjesë, se nuk është se e drejtonte Shqipërinë PS-ja, apo nuk ishte punë e bashkisë. I thashë, kërkova ndjesë sepse dikush duhet të marrë përgjegjësi që në qytetin tonë u zhdukën njerëz nga SHIK-u i Saliut, nga SHIK-u i Gazidedes, nga SHIK-u i atyre që iu shmangën drejtësisë. Sot, ne na akuzojnë pse jemi gati të bashkëpunojmë me drejtësinë në çdo kërkesë të drejtësisë. Atëherë njerëzit vriteshin pa gjyq, rrëmbeheshin nga rrugët e këtij qyteti, kështu që jo vetëm ndjesë në emër të një institucioni si Bashkia e Tiranës, që dikush para se ne të merreshim me këtë punë u zhduk nga qyteti, por edhe një kërkesë për të mos harruar, për të respektuar njerëzit, qoftë edhe ata të djathtë, siç ishte rasti i kryetarit të parë të bashkisë, Tomor Malasi, pas ardhjes së demokracisë, por edhe për të kujtuar ata që kanë pasur histori të dhimbshme në qytetin tonë, siç ishte historia e Remzi Hoxhës”, tha Veliaj.