Me rastin e këtij përvjetori jubilar, u mbajt një ceremoni kremtuese me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido, drejtuesve të institucioneve bashkëpunëtore, krerëve të arkivave të Egjiptit, të Turqisë, të Izraelit, të vendeve të Ballkanit, të Europës Lindore dhe Jugore, studiuesve dhe mjaft personaliteteve të tjera.
Një fjalë rasti mbajti Presidenti Begaj, i cili përshëndeti përparësitë që ka mundësuar implementimi i teknologjisë së digjitalizimit në ruajtjen e kujtesës tonë kombëtare.
“Institucioni juaj ka një peshë të veçantë dhe të rëndësishme në krijimin e kujtesës sonë kolektive dhe të ndërgjegjes kombëtare.
Kjo kujtesë e sistemuar në mbi 100 milionë dokumente, në 13 arkiva të shtetit, ku gjenden xhavahirë të rrallë, si Fondi i Kodikëve Mesjetarë të Beratit, janë lidhja jonë me lashtësinë dhe traditën e vendeve të tjera europiane. Studimi i tyre nga studiuesit dhe historianët, vendas dhe të huaj, na ndihmon të kuptojmë rrënjët tona, të vlerësojmë përpjekjet e brezave të mëparshëm dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë mbi këtë bazë të fortë. Implementimi i teknologjisë së digjitalizimit në arkivën shtetërore ka qenë një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së dokumenteve dhe lehtësimit të aksesit të publikut ndaj tyre. Investimi në kujtesë kolektive, në infrastrukturën dhe burimet njerëzore të arkivave, është imperativë për kombin tonë, për shqiptarinë, për të ardhmen.”, u shpreh kreu i shtetit.
Më tej, mori fjalën kryerparlamentarja Nikolla, e cila po ashtu vlerësoi aplikimin e teknologjive bashkëkohore prej DPA-së, që u shërben pa dallim institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të zakonshëm.
“Krijimi i arkivit është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për arkivin, për historinë, por për Shqipërinë. 75 vitet që kanë kaluar dëshmuan se arkivat shqiptare kanë shërbyer si një burim i jashtëzakonshëm për dokumentimin e ngjarjeve madhore të historisë tonë kombëtare. Por, edhe më shumë se kaq. Arkivi u ka shërbyer të gjithëve, nga institucionet qendrore shtetërore deri tek qytetarët e thjeshtë. Arkiva shqiptare sot nuk ka të krahasuar me atë që ky institucion ishte në fillimin e jetës së tij, 75 vite më parë. Teknologjitë bashkëkohore që ju po aplikoni në ruajtjen e dokumentacionit dhe modernizimi i shërbimeve arkivore, i ka bërë arkivat shqiptare një institucion modern, dinjitoz, të admiruar dhe të vlerësuar, jo vetëm nga ne shqiptarët, por edhe nga institucionet dhe agjencitë partnere me të cilat ju bashkëpunoni.”, tha kryeparlamentarja Nikolla.
Fjala përshëndetëse u mbajt prej Bidos, i cili vuri theksin tek dobitë e procesit të digjitalizimit të dokumenteve, që krahas ruajtjes së lëndës arkivore, bën të mundur aksesin e barabartë të qytetarëve në informacion, pavarësisht vendodhjes.
“Nëse do të shohësh gjendjen reale të një vendi duhet të shohësh pasqyrën e vet, vendin ku ruhen aktet administrative. Ndaj, nuk është rastësore që arkivi ka kaluar fazat e veta. Mosekzistencën fillestare, mbylljen totale gjatë regjimit komunist dhe një kalim të ngadaltë drejt konsolidimit pas viteve 1990. Sikurse Shqipëria, edhe Arkivi në vitet e fundit është në rrugën e konsolidimit total, duke vijuar përpjekjet e nisura më herët. Nëse në vitin 2018 kishte 500 mijë dokumente të skanuara, sot ka 15 milionë në vetëm pak vite. Ky proces digjitalizimi ka bërë të mundur që të shmangim shërbimin e lëndës arkivore në original për studiuesit dhe të shtojmë mundësitë e shërbimit të dokumenteve edhe jashtë, pavarësisht vendit se ku studiuesi ndodhet. Sot kemi nga Haniaja në Kretë e deri në Mitrovicë dhe nga Palermo e Cosenza e arbëreshëve deri në Manastirin e Alfabetit, nga Saranda deri në Istog, sallat tona të studimit. Aktualisht janë mbi 60 salla studimi të hapura në Ballkan dhe në Italinë e Jugut, që mundësojnë shërbimin e lëndës arkivore njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë.”, tha Bido.
Në vijim të fjalës së tij, Bido u ndal tek investimi në ndërtimin e vendruajtjeve të dokumenteve në kushte optimale dhe në përpjekjet e DPA-së për të lëvruar arkivistikën si shkencë më vete.
“Në vitin 2020 ne përuruam Vendruajtjen e re në Shkozë, teksa jemi duke përmirësuar kushtet e dy ndërtesave të tjera ekzistuese të përshtatura si ndërtesa arkivore. Kemi restauruar po ashtu ndërtesat në Elbasan, Lushnje, Durrës dhe Rrëshen, Prej vitit 2017, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, si edhe me Institutin për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, si edhe me institucione akademike, kemi arritur të organizojmë çdo vit Konferencën Mbarëkombëtare të Arkivistikës dhe të publikojmë revistën e përbashkët unikale në shqip mbi arkivistikën. Po ashtu, DPA-ja publikon regullisht botimet e saj. Ky nuk është një bilanc, por është mishërimi në vepra i vizionit me të cilin vijuam punën e brezave të mëparshëm të arkivistëve.”, përfundoi Bido.
Në përmbyllje të aktivitetit, u shfaq një dokumentar i realizuar enkas për këtë përvjetor domethënës të institucionit më të lartë arkivor në vend. Në kuadrin e kësaj date të shënuar për kujtesën e kombit, u zhvillua një kalendar i ngjeshur aktivitetesh.
DPA-ja nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Ukrainën dhe me Bosnjen dhe Hercegovinën, duke siguruar shkëmbimin e përvojave, të ekspertizës dhe të dokumenteve me interes për publikun shqiptar. Përkatësisht, bëhet fjalë për të dhëna për rilindasit dhe diasporën në Ukrainë, si edhe informacione mbi komunitetin e bashkëkombasve tanë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Po ashtu, u mbajt një tryezë e rrumbullakët, ku përfaqësuesit e arkivave në rajon e më gjerë, diskutuan mbi nevojën e thellimit të bashkëpunimit për përballimim e sfidave të së ardhmes. Ndërkaq, të dielën do të organizohet Konferenca e VIII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës dhe të hënën, do të nënshkruhet një marrëveshje tjetër bashkëpunimi me Moldavinë.
Në bilancin e këtij 75-vjetori, DPA-ja ka ndryshuar krejtësisht faqe, duke u shndërruar në një kompleks të mirëfilltë kulturor. Me çeljen e Kinemasë Verore, e cila zotëron një kapacitet prej 140 ulësesh, DPA-ja i adresohet veçanërisht të rinjve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen.
Së bashku me Hapësirën e Studimit në Natyrë, me sallën shumëfunksionale të përuruar së fundmi, si edhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore bashkëkohore. Jetësimi i këtyre nismave vjen si rezultat i angazhimit për të inkurajuar veçanërisht të rinjtë për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.