Pas rindërtimit të shkollës “Emin Duraku”, Bashkia e Tiranës do të ndërtojë edhe dy shkolla të reja në Njësinë 5 dhe 13 në kryeqytet.
Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj, njëherësh drejtues politik i PS për Qarkun e Tiranës.
Gjatë takimit me socialistët e zonës, Veliaj tha se dy institucionet e reja arsimore do të jenë tek Parku Olimpik dhe pranë Kopshtit Botanik.
“Ne do të vazhdojmë punët dhe kantieret tona. Do të kemi fillimin e punimeve për dy shkollat e reja që prekin edhe Njësinë 5, edhe Njësinë 13; pra, pas ‘’Emin Durakut’’ ne do të punojmë për shkollën ‘’Dritëro Agolli’’, që është tek Parku Olimpik, kurse në anën tjetër të autostradës, te cepi Kopshtit Botanik do të jetë shkolla 9-vjeçare, pra një 9-vjeçare dhe një gjimnaz. Besoj fort që do të shkojmë në zgjedhje me çdo premtim të mbajtur, me kokën lart, duke i parë njerëzit në sy. Ne nuk jemi një forcë perfekte, në 33 vite kanë ndodhur një pafundësi gjërash, po di të them që jemi sot forca më e ndershme, më e drejtë, më progresiste dhe që ka afruar Shqipërinë me BE më shumë se çdo forcë tjetër politike të marrë sëbashku”, tha Veliaj.
Ai shtoi se PS është përballur në çdo projekt me pengesa të jashtëzakonshmje nga ana e opozitës.
“Kur kujtoj historinë e Partisë Socialiste, kujtoj që në çdo punë jemi përballur me një mur pengesash të jashtëzakonshme. Me sa duket nuk ta fal njeri kollaj suksesin dhe kur punojnë socialistët, ka një grup tjetër që krijon një rezistencë të jashtëzakonshme ndaj çdo projekti. Më kujtohet beteja që kemi bërë për Parkun Olimpik, beteja që kemi bërë për rrugët nga Pallati me Shigjeta te Kopshti Botanik. Kujtoj atëherë se si ishte zaptuar e gjithë hapësira dhe se si përdoreshin komuniteti rom e egjiptian që ishin aty. Përdoreshin si mish për top, siç përdoreshin si mish për top qytetarët tek Astiri, siç përdoreshin tek Bulevardi. Ja ku jemi sot, edhe komuniteti është trajtuar me respekt, me banesa sociale, por edhe lagjja është rritur në vlerën e pronës nga investimet dhe nga gjithë kontributet që kemi pasur, prej insistimit kokëfortë, për t’i çuar punët deri në fund”, deklaroi ai.
Veliaj u shpreh se falë punëve të bëra nga PS, vlera e pronës së qytetarëve në njësinë 5 është trefishuar.
“Çdo njeri që jeton në njësinë 5, në të gjithë Tiranën në përgjithësi, po sidomos në njësinë 5, është tre herë më i pasur. Edhe ai që nuk voton për ne, edhe ai që na kundërshton, edhe ai që vjen me pistoletë dhe djeg goma. Nuk ndodh që kinema ‘’Agimi’’ te jetë ndonjë ditë bosh nga aktivitetet që po ndodhin. Kur kujtoj Amfiteatrin e Liqenit, ishin të gjithë ato gurët e thyer dhe ishte kthyer në një WC të madhe. Sot Amfiteatri i Liqenit nuk ka ditë të lirë për të gjithë sezonin e verës, tani që dhe Tirana është e mbushur me turistë”, tha Veliaj.