Një 28 vjeçar është arrestuar në Klos pasi është kapur duke u kujdesur për mbi 1 mijë rrënjë kanabis sativa.
Përveç shtetasit A.F është proceduar penalisht, kryeplaku i fshatit Klos dhe specialisti i pyjeve për zonën Fan.
Ndërkohë që është asgjësuar edhe sasia prej 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa.
“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuar edhe në inteligjencën policore, dhe kanë vijuar me hetimet proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Lezhë finalizuan me sukses operacionin e koduar “Klosi”. Si rezultat i këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
A,F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit:
Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”-njofton policia.