Deri së fundmi, alpinistët dhe të apasionuarit pas ngjitjes në majat më të larta të botës janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme në përmbushjen e pasionit të tyre.
Kanë qenë të shumta rastet kur ata kanë humbur edhe jetën për shkak të mungesës së bombolave të oksigjenit, ushqimeve ose mjekimeve të ndryshme.
Megjithatë falë teknologjisë kjo po ndryshon me ritme të shpejta. Tashmë ndihma është vetëm një buton larg. Gjiganti kinez i dronëve DJI është bashkuar me kompaninë nepaleze Airlift dhe kompaninë e prodhimit të videove 8KRAW për të kryer me sukses dërgesat e para në botë me dron në malin Everest, duke hapur rrugën për rifurnizimin më të sigurt të kampeve të Everestit dhe duke hequr sasinë e madhe të mbeturinave që tani mbushin anën e malit më të lartë në botë.
DJI fluturoi me sukses tre bombola oksigjeni dhe 1.5 kg furnizime nga kampi bazë (në një lartësi prej 5,364 m) në kampin 1 (në 6,000 m), dhe më pas u kthye me një ngarkesë mbeturinash.
Pritet që, pasi të kenë përfunduar provat, droni mund të mbajë një ngarkesë prej 15 kg në vetëm një udhëtim vajtje-ardhje 12-minutësh, ditën ose natën.
Zakonisht një Sherpa i duhen gjashtë deri në tetë orë për të bërë të njëjtin udhëtim, përmes akullnajës së pabesë Khumbu.