Kreu i PD-së Basha shpjegoi sot prioritetët e forcës politike që drejton dhe ndihmën për familjet e reja.
Në një intervistë për Euronews.al ai tha se familja shqiptare ka nevojë të menjëhershme për ndihmë për shkak të presionit të madh me të cilin përballet.
Basha tha se qeveria e PD-së do subvencionojë 100% të huave të kredive për 30 mijë çifte të reja ndërsa përsëriti premtimin për bonusin 20 mijë euro për fëmijën e tretë.
“Unë realisht besoj që familjet shqiptare janë në udhëkryq. E para janë në udhëkryq si çdo familje tjetër për shkak të presionit të kohëve që po ndryshojnë. Familja shqiptare ka nevojë urgjente për ndihmë. Sepse këtij presioni që e përjeton edhe një familje në Holandë apo Gjermani, i shtohet fakti familjeve shqiptare jo vetëm që nuk u jepet një ndihmë, i vihen mbi kurriz bara të pamerituara. Familja shqiptare është blloku ndërtues i shoqërisë. Në qoftë se shkatërrohet apo dobësohet, atëherë e gjithë shoqëria do të bjerë si një ngrehinë që nuk e mbajnë trarët. Partia Demokratike mbetet një parti e djathtë që beson që qeveria duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për të bërë detyrat e veta, por aspak më e madhe, sepse pjesa tjetër duhet mbushur nga individi, nga familja, nga sipërmarrja, nga shoqëria. Në këtë rrugëtim ne kemi parashikuar dorën e shtetit, kur i thonë rolin udhëheqës të qeverisë së ardhshme që nga momenti i krijimit të bërthamës familjare duke adoptuar një model të subvencionimit 100% të interesave të huave, të kredive që marrin çiftet e reja për shtëpi, për 30 mijë çifte të reja. Dhe ky është një stimul i madh që e para e punës krijon një gjendje mendore, që shiko nuk jemi vetëm, shteti do bëj diçka që të na ndihmojë në këtë drejtim. Dhe të gjitha këto janë pjesë e Fondit për Mirëqenien e Familjes. E dyta është bonusi i bebeve që ka bërë namin këtë javë që shkoi, është një paketë që ndahet në dy pjesë. Për dy fëmijët e parë një vlerë prej afro 2 mijë eurosh dhe për fëmijën e tretë një vlerë prej 20 mijë eurosh. Qëllimi është padiskuntim të largojë pesimizmin, mungesën e besimit, pasigurinë që karakterizon çiftet e reja.” – tha Basha.