Vendosni fjalën kyçe....

Fredi Beleri drejt Parlamentit Evropian, pranë zgjedhjes eurodeputet me partinë e Mitsotakis


Fredi Beleri, i cili është dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Posaçme për blerje votash në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 dhe është në pritje të vendimit të Apelit të Posaçëm, është renditur i treti në zgjedhjet për një vend në Parlamentin Evropian.

Ai ishte kandidat për Nea Demokracia të kryeministrit grek në pushtet Kyriakos Mitsotakis.

Partia e tij pritet të sigurojë shtatë vende në Parlamentin Evropian, e ndjekur nga Syriza dhe PASOK.

Ai u arrestua tre ditë para zgjedhjeve të 14 majit në Himarë ku kandidonte për kryetar bashkie nga radhët e koalicionit opozitar.

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, kryeministri Rama lëshoi akuza e paralajmërime të ashpra ndaj Belerit. Ky i fundit i ka mohuar akuzat ndaj tij duke deklaruar se procesi ndaj tij ka qenë i montuar dhe politik.

Vëllai i dëshmitarit kyç ndaj Fredi Belerit, Avdyl Rama, dha një intervistë spontane një ditë pas arrestimit të Fredi Belerit e dy personave të tjerë, të akuzuar nga prokuroria për blerje votash lidhur me zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Çuditërisht, intervista e Avdyl Ramës u la në “harresë” nga prokuroria gjatë seancave gjyqësore ndaj Fredi Belerit, ndërsa avokatëve të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës iu hoq mundësia që ta pyesnin atë në sallë, pasi dikush u kujdes që ta largonte nga Shqipëria.

Ndryshe nga sa pohoi ai me gojën e tij gjatë intervistës, se atij dhe familjarëve të tij nuk u është ofruar asnjë lek apo favor tjetër nga Fredi Beleri apo fushata e tij në këmbim të votës, në prokurori e polici ai ka dhënë një tjetër deklaratë nën trysninë e autoriteteve.

Pas kësaj, Avdyl Rama është larguar nga Shqipëria pasi dikush u kujdes që ai të ikte.

Beleri ka kërkuar në disa raste leje të dalë nga burgu për t’u betuar po nuk është lejuar. Arrestimi dhe dënimi i Belerit ka çuar në përplasje të ashpër mes Athinës e Tiranës.

Ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar në shumë raste se nuk ndërhyn në punën e drejtësisë, ai gek Mitsotakis e ka quajtur të manipuluar procesin ndaj Belerit dhe ka paralajmëruar masa ndaj Tiranës përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimit në BE./ Hashtag.al