Kombëtarja shqiptare e cila do të luajë për herë të dytë në historinë e saj në një kampionat europian pas atij të Francës në vitin 2016-të, është njohur me rregullat strikte të UEFA-s, sa i përket sjelljes në fushën e lojës me arbitrat.
UEFA ka “kërcënuar” të gjithë lojatrët e skudrave që do ta marrin pjesë në kampionatin europian që nis këtë të premte në Gjermani, se do të ketë zero tolerancë ndaj atyre që do të kundërshtojnë apo protestojnë vendimet e gjyqtarëve gjatë lojës.
Në udhëzimin e UEFA-s kërkohet të mbrohen arbitrat, në mënyrë që ata të mos kenë frikë nga vendimet që do të marrin.
Sipas urdhërit të ri, ashtu si edhe në të shkuarën asnjë lojtar tjetër përveç kapitenit të skuadrës nuk ka të drejtë të flasë apo t’i afrohet arbitrit apo anësorëve gjatë ndeshjes, në të kundërt ndëshkohet me karton të verdhë.
Ndërkohë sa i përket skuadrave që kanë kapiten portierët, do të duhet që ata t’i delegojnë një lojtari tjetër të drejtën për të diskutuar me arbitrin në momentin që janë larg aksionit.