Vendosni fjalën kyçe....

Kush është lideri i ekstremit të djathtë që mund të largojë Makronin nga Elizeja


Jordan Bardella iu bashkua Frontit Kombëtar të Francës (tani Rassemblement National, RN) në moshën 16-vjeçare, pikërisht në vitin 2012, kur drejtuesja e partisë, Marine Le Pen, kandidoi për herë të parë për presidente dhe përfundoi në vendin e tretë. Le Pen, bija e themeluesit të Frontit Kombëtar, Jean-Marie Le Pen, arriti të rrisë numrin e votave të partisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 dhe 2022, duke e bërë partinë një forcë të rëndësishme në politikën franceze.

Në vitin 2022, Marine Le Pen bëri një lëvizje taktike duke e vendosur Jordan Bardella, një politikan tepër të ri në moshë, në krye të partisë. Bardella u emërua nënkryetar në vitin 2019 dhe në të njëjtin vit u bë eurodeputeti i dytë më i ri në historinë europiane. Ai kishte shërbyer edhe si zëdhënës i RN dhe president i krahut rinor të saj, Generation Nation (më parë Front National de la Jeunesse), duke punuar ngushtë me ish-gazetarin Pascal Humeau.

Sipas Dr. Itay Lotem, lektor i lartë i studimeve franceze në Universitetin e Uestminsterit, Le Pen e shihte 28-vjeçarin Bardella si një investim të mirë për të ardhmen e partisë, duke qenë se ai përfaqësonte një fytyrë të re dhe të freskët që mund të kontrollohej lehtësisht. Bardella ishte i njohur për përputhjen e tij me mendimet e partisë dhe jo për ndjekjen e ideve personale, duke paraqitur një pamje të qetë që përshtatej me programin e Le Pen.