Vendosni fjalën kyçe....

Mbi “patriotët” shqiptarë dhe konspiracionin e madh rreth UDB-së


Nga Mero Baze

Lexova një shkrim të Bedri Islamit botuar në gazetën Dita dhe ribotuar mes të tjerash dhe në portalin e gazetës TemA, lidhur me një deklaratë timen rreth vjehrrës së Sali Berishës dhe më pas me aludime të tjera rreth ndërhyrjeve të UDB në Shqipëri. 

Është e lehtë të gjesh një armik si Sali Berisha, dhe pastaj t’i veshësh atij gjithë historitë e UDB në Shqipëri e t’i kalosh derë më derë për të krijuar një skemë konspirative rreth pranisë së UDB në Shqipëri. Kjo në fakt është mënyra se si të fshehësh çfarë është UDB e çfarë është e jona në marrëzitë tona politike dhe të shpëtosh UDB, duke përzier kokrrat me kashtën.

Prania e UDB në Shqipëri është e faktuar, por dhe pjesa e pafaktuar merret me mend. Ajo ka ekzistuar qysh kur është krijuar shteti shqiptar, madje dhe para tij. Disa nga familjet që ne i mbajmë si familje të mëdha shqiptare, madje me kontribute, i kanë pas të parët e tyre në borderotë e Beogradit. Mjafton të shikosh historinë e familjes së Haxhi Lleshit, apo historitë e Xhelal Zogut, krerëve te Mirditës, apo Dukagjinit, para se të krijohej shteti shqiptar, për ta kuptuar atë.

Po ashtu ka vazhduar kjo me bashkëpunimin e përkohshëm të Ahmet Zogut me Jugosllavinë, bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Partinë Komuniste Jugosllave, që e ktheu Shqipërinë gati në Republikë të Shtatë të tyre e më pas.

Me Enver Hoxhën merr fund bashkëpunimi institucional i shtetit shqiptar me Serbinë. Pas tij çdo gjë është punë shërbimesh, çka është normale.

Vjehrra e Sali Berishës, natyrisht që ka bashkëpunuar me UDB dhe për këtë ka një dosje të qartë në arkivat e shtetit shqiptar. Por ajo ka bashkëpunuar si shtetase serbe për atdheun e saj. Ajo ishte një serbe krenare për origjinën e saj dhe natyrisht mes Shqipërisë dhe Serbisë ka dashur më shumë Serbinë. Sipas dosjes së saj, ajo ka qenë pjesë e nëpunësve jugosllavë që punuan në kohën e bashkim vëllazërimit të Shqipërisë së Enver Hoxhës me Jugsollavinë, si sekretare pranë komisionit dypalësh të eksport- import të mineraleve, më pas në Aeroport dhe në vitin 1948 ka pas mëdyshje të qëndrojë këtu apo të iki në Serbi. Dhe ka qëndruar këtu duke vazhduar kontaktet me Ambasadën dhe njerëzit e saj. Asaj nuk i them dot tradhtare e Shqipërisë. Se ishte serbe. Ka punuar për vendin e saj.

Ajo që dua të them është se Sali Berisha, kur anatemon kundërshtarët apo çdokënd që i del para për të quajtur spiunë të UDB, duhet të ketë parasysh se e ka pas bashkëpunëtoren e UDB njeriun e tij më të dashur të familjes. 

Për këtë nuk ka nevojë të japë sqarime. Ai duhet të japë sqarime përse i hapi Milosheviçit kufijtë për ta furnizuar me naftë makinerinë më vrasëse në Ballkan, që luftonte mes të tejrash kudnër Perëndimit. E kam një shpjegim. E bëri se pa që SHBA po i rrëzonte fronin dhe donte t’i bënte karshillëk duke u dukur se kishte në dorë çelësat e stabilitetit në Ballkan. Por nuk ja doli dot. Iku para Milosheviçit.

Dhe kaq mjafton të ulë kokën e të mbyllë gojën.

Nga ana tjetër shkrimi ka një qasje ideologjike ndaj UDB dhe do të na tregojë që kur UDB është në anën e kundërshtarëve të tij politik, është e keqe, dhe kur është në anën e komunistëve shqiptarë, është e mirë. Me këtë rast duket që ai transmeton mllefin dhe indoktrinimin e luftetarëve dhe veprimtareve të LKP së viteve 80 -90, të cilët ishin nacionalistët romantikë të Kosovës, që mendonin se Kosova çlirohej dhe pavarësohej me nacional-komunizmin e Enver Hoxhës. Në fakt ata janë realisht njerëz patriotë, por të destinuar të dështonin, pasi asocimi i tyre në Perëndim me komunizmin e Enver Hoxhës i vizatonte ata si grupe të paguara nga Shqipëria komuniste për të bërë dhe Kosovën komuniste. Në fakt Shqipëria komuniste më shumë ka bashkëpunuar me UDB, se me ata.

Kosova e bindi Perëndimin se ndaj saj duhej kthyer vëmendja falë LDK dhe Ibrahim Rugovës. Vendosmëria dhe vizioni i tij për ta zgjidhur çështjen e Kosovës si një çështje të demokracisë dhe lirisë që erdhi pas rënies së “Murit të Berlinit” ishte fati i madh i Kosovës. Ibrahim Rugova vendosi ta çlirojë Kosovën me Perëndimin, dhe jo me shërbime sekrete.

Nuk mund të banalizohet krijimi i LDK (që në fakt është krijuar më 1989 dhe më 1990), me ndonjë individ që ka infiltruar aty për UDB. Besoj se ka pasur më shumë se sa di Bedriu, por kanë qenë të parëndësishëm për doktrinën e Ibrahim Rugovës. Askush nuk e lëkundi atë nga vendosmëria për ta zgjidhur çështjen e Kosovës me mbështetje të NATO nën protektoraratin e OKB dhe ja arriti. Nuk u tërhoq as nga presioni kriminal i komunistit të fundit jugosllav, Slobodan Milosheviç, as nga ndryshku i enveristëve të fundit në Kosovë. 

Falë Ibrahim Rugovës, Perëndimi kaloi në anën e Kosovës aq shumë sa në vitin 1998- 1999, kur Serbia nisi ofensivën e madhe, u bë për Perëndimin e pranueshme dhe ideja e UÇK dhe ata zunë vendin e nderit në historinë e Kosovës. Ibrahim Rugova e ka meritë historike që ndihmoi që UÇK të bëhej aleate e Perëndimit, duke braktisur mentalitetin ideologjik që ishte në zanafillë të lindjes së saj.

Histori e Kosovës nuk është histori shërbimesh të UDB, pavarësisht individëve. Është historia më dinjitoze e shekullit të kaluar në Evropë.

Mendësia e mbivlerësimit të rolit të UDB dhe të tjerëve në historinë e Kosovë është një mendësi tërësisht komuniste, që fatkeqësisht ka qenë në zemrën dhe mendjen e shumë veprimtarëve ideologjikë të LPK, që përbënin bazën e UÇK dhe që më vonë me çlirimin e Kosovës, por dhe gjatë saj, u kthye dhe në ushtrim dhune ndaj kundërshtarëve që ata i quanin armiq.

Është pikërisht kjo pjesë që njollosi udhëheqësit e UÇK me nxitjen e akteve kriminale sporadike, që Serbia arriti t’i marrë e t’i paketojë si terrorizëm, për të cilën padrejtësisht sot janë në Hagë, ajka drejtuese e UÇK. Ajo është një pjesë e historisë, për të cilën, njerëz që i kanë frymëzuar ato krime ideologjikisht, tani duhet të ulin kokën dhe jo të japin leksione patriotizmi mbushur me të pavërteta.

Dhe së fundmi dua të them dy fjalë dhe për akuzat ndaj Edi Ramës për bashkëpunëtorët e tij nga Kosova apo miqtë e tij.

Unë e njoh dhe Kosovën, dhe Edi Ramën. Edi Rama para se të bëhej kryeministër, nuk ka pas ndonjë njohje të thellë të Kosovës. E ka trajtuar më shumë si atdheu i Hashim Thaçit, të cilin për fat e kishte mik të mirë.

Miqtë e Edi Ramës nga Kosova nuk janë miqtë e mi. Madje dis prej tyre si kam njohur kurrë. Besa Shahinin se kam takuar asnjëherë në jetë, por më ka pas lënë shije të mirë si një ministre e ardhur nga Kosova, që arriti të kuptonte Shqipërinë, por nuk arriti ta pranonte. Nuk është pak, edhe pse në Shqipëri është një tokë e minuar për çdokënd që nuk vjen nga klanet politike të Shqipërisë.

Ajo nuk është e vetmja që Edi Rama ka thirrur nga Kosova. Kemi së paku dy ministra dhe katër zëvendësministra, përfshi dhe kryetaren e shërbimit secret, nga Kosova. Është një eksperiment i çmendur i një njeriu që në fakt kërkon ta ballafaqojë Kosovën me Shqipërinë në institucione. Dhe po bën gjënë e duhur.

Tani po të merrnim mend e Berishës mund të themi që këta ja ka dhënë Vuçiqi, apo po të ecim me paranojat e zotit Islami mund të themi që kanë qenë planifikuar që nga koha e Pashiqit e Milosheviçit, por ky është banalitet.

Shumë fëmijë të elitës jugosllave kanë kontribuar për lirinë e Kosovës. Jo doemos me pushkë në mal.

Veton Surroi e ka pas babain ambasador, por nuk mund t’i heqim meritat e tij si aktivist dhe publicist i shquar për Kosovën. Shkëlzen Maliqi e ka pas babain thuajse ministër të Brendshëm gjatë autonomisë, por roli i tij si intelektual në zhvillimet demokratike të Kosovës nuk mund të mohohet. Për Besën nuk po flas se ka qenë fëmijë. Por Baton Haxhiun po ashtu e njoh prej vitit 1993, dhe ka qenë njësoj si sot, i kudogjendur, i paparashikueshëm, i pakorrigjueshem shpesh në mungesën e përgjegjësisë, por njeri i qartë në punën e tij. Koha Ditore e drejtuar prej tij në vitet 1997- 1999 ishte thuajse gazetë zyrtare e UÇK, madje e egër kundër Rugovës. Tani si duhet ta quajmë këtë, që ka qenë direktivë e UDB që gazeta më popullore e Kosovës, të mbështeste UÇK, sepse Batoni ka takuar Stanshiçin, por që nuk vë dorën në zjarr që mund të ketë takuar dhe të tjerë? Ato ai i ka pohuar vet.

Ndaj është e rëndë që tani për inatet ndaj Edi Ramës, të shpallim gjithë njerezit që ai i ka miq në Kosovë, si pjesë e UDB. 

Dyshoj se ky sulm ndoshta vjen dhe nga fakti që Edi Rama do marrë pjesë në një aktivitet të LDK, duke reflektuar për figurën e Ibrahim Rugovës. Dikujt mund t’i pengojë kjo gjë. Por edhe pse vonë, Edi Rama po bën atë që duhet ta bënte që në krye. 

Tani me këtë kriter, hajde t’i themi dhe Blendi Fevziut që është agjent i UDB, meqë do flasë dhe ai aty, se dhe ai nuk është se e ka dash Rugovën dikur.

Ky vështrim ideologjik i raporteve Shqipëri- Kosovë ka qenë stili i Enver Hoxhës Ai i kishte katër këshilltarë për Kosovën, që i tregonin se kush ishte armik i Shqipërisë nga shqiptarët e Kosoves e kush mik. Klasifikimi ishte kush ishte me Enver Hoxhën e kush jo. Ajo kohë ka vdekur. Ajo mendësi është e vetmja njolle ndryshku në historinë e artë të UÇK. Mos e rrisni më atë njollë, por përpiquni ta fshini krejt.