Vendosni fjalën kyçe....

Në kërkim ndërkombëtar për vjedhje dhe plagosje, arrestohet turku në Morinë, pritet ekstradimi drejt Gjermanisë


Foto ilustruese

Një shtetas turk është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.

Policia njofton se ky person ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjermane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje dhe për plagosje.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit, në Gjermani.

NJOFTIMI I POLICISË

“Policia Kufitare e Morinës ndaloi 1 shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Gjermania, për vjedhje dhe për plagosje.

Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas zbatimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi turk Z. O., 35 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjermane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje dhe për plagosje.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit, në Gjermani”.