Vendosni fjalën kyçe....

PS mbledh Asamblenë Kombëtare, diskutohen zgjedhjet e brendshme


Partia Socialiste (PS) do të mbledhë pasditen e së martës Asamblenë Kombëtare, e cila do të zhvillohet online.

Mbledhja do të nisë me fjalën e kryetarit të partisë, Edi Rama, dhe do të pasojë me një raport nga Sekretari i Përgjithshëm, Bledi Klosi, mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve të brendshme në parti.

Asambleja Kombëtare do të vendosë thirrjen e Kongresit zgjedhor të socialistëve, i cili pritet të zhvillohet në muajin korrik. Në këtë kongres do të votohet për anëtarët e Asamblesë së ardhshme Kombëtare socialiste, nga të cilët më pas, përmes votës, do të zgjidhet kryesia e re e PS.

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS zhvillohet një ditë para kremtimit të 33-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, një moment i rëndësishëm për partinë që synon të rifreskojë dhe të forcojë strukturat e saj drejtuese.