Vendosni fjalën kyçe....

Pse Emanuel Macron bëri një lëvizje dinake


Nga Edon Qesari

Lëvizja e beftë e Macron-it, i cili shpërndau dhomën e ulët të Parlamentit francez dhe thërriti zgjedhje të parakohshme legjislative në vijim të rezultatit të pakënaqshëm elektoral për partinë e tij, nuk është aspak e nxituar. Dhe as e pamenduar. Përkundrazi, është lëvizje shumë dinake, nëse mbajmë parasysh kushtet kushtetuese franceze. Dhe e bëri – ai së bashku me këshilltarët e vet – duke shpresuar së paku një nga rrjedhojat e mëposhtme.

Në rastin më të mirë, Macron-i kërkon të vërtetojë, duke hedhur një bast të madh në këtë drejtim, aksiomën e zakonshme sipas së cilës elektorati francez voton ndryshe në zgjedhjet kombëtare e ndryshe në ato evropiane; se i jep rëndësi të parave, ndërsa në të dytat ia lejon vetes që të hedhë mesazhe të kodifikuara, duke shpërblyer, për hir mosrëndësisë konkrete që zgjedhjet evropiane kanë për përditshmërinë e vet, ata të cilëve nuk u beson qeverisjen e Francës. Me pak fjalë, Macron-i po shpreson që t’u tregojë bashkëkombasve të vet sesa e brishtë është fitorja evropiane e znj. Marine Le Pen, e cila mund të dërgojë më shumë deputetë se ai në Parlamentin evropian, por nuk ka fituar mjaftueshëm zemrat e francezëve vetë në masën që këta, me shumicë, t’i besojnë qeverisjen e drejtpërdrejtë të tyre.

Në rastin më të keq – e ketu basti kthehet në lojë vërtet të rrezikshme – Macron-i po shpreson që znj. Le Pen t’i fitojë zgjedhjet parlamentare franceze, gjë që do t’i japë asaj, e njeriut pranë saj (Jordan Bardella) të drejtën për të udhëhequr qeverinë e ardhshme në cilësinë e të qenit kryeministër. Një lëvizje e tillë, do ta vendoste znj. Le Pen dhe beniaminin e saj në pozita jo të lehta për shkak të dy nën-arsyeve të mëposhtme:

Së pari, problemet e ekonomisë franceze janë të mëdha; shumë të mëdha. Partia e znj. Le Pen, deri më sot, ka përftuar frytet retorike të të qenit e izoluar në opozitë. Macron-i shpreson se në qeverisje kundërshtarët e tij do të dështojnë me shumë sukses.

Kësaj bindjeje – dhe kjo është nën-arsyeja e dytë – i shtohet fakti tjetër, që ka të bëjë me arkitekturën kushtetuese të Shtetit francez.

Franca, nga ana tekstuale, është një republikë gjysme-presidenciale: si kreu i shtetit ashtu edhe kreu i qeverisë, – i pari në mënyrë të drejtpërdrejtë, i dytë të tërthortë – hipin në karriget përkatëse në bazë të votës qytetare. Presidenti mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave dhe madje ta kushtëzojë ekzekutivin (zakonisht e bën këtë gjë të fundit në politikën e jashtme, por e ka mundësinë ta ushtrojë kushtëzimin edhe në politikat e ndryshme ekonomike). Pavarësisht pra devizës që e do atë gjysmë-presidenciale, në terma të kulluar politikë, Franca është një monarki e përkryer presidenciale: për aq sa është në pushtet, Presidenti i Republikës ka fuqi trysnuese edhe më të madhe se ç’e ka homologu i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thamë se Macron-i, paradoksalisht, po shpreson te fitorja e partisë së znj. Le Pen, në mënyrë që kjo, nëpërmjet të besuarit të saj, z. Bardella, të formojë një qeveri. Nëse veprimtaria e kësaj të fundit nuk do ta qelbë vetë punën – e do të tregojë para francezëve se ka vetëm llafe dhe se kur vjen puna për të qeverisur znj. Le Pen është krejt e paaftë – Macron-i do ta çojë me duart e veta drejt dështimit.

Në fund të fundit, Emmanuel Macron është në mandatin e vet të dytë pesëvjeçar – më tej nuk mund të shkojë. Nëse pas kësaj përvoje presidenciale ka ndër mend të vazhdojë të ndikojë në politikën franceze, ai mëton që të shfrytëzojë fare mirë dy mundësitë që i jep rendi kushtetues francez: të bashkëjetojë (cohabitation) me një parti që s’është e veta, si dhe t’ia nxijë jetën kësaj të fundit nëse nuk bën siç thotë ai, madje duke ia hequr edhe të drejtën e qeverisjes nëse një ditë të bukur do t’i teket që të thërrasë sërish zgjedhje të parakohëshme. Ndërkaq, të gjitha dështimet në qeverisje – të cilat do të jenë medoemos edhe të tij – do t’ia faturojë partisë kundërshtare. Duke investuar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në të cilat një kandidat i tij do të ketë shpresë që të ngadhënjejë ndaj znj. Le Pen.

Me pak fjalë, është i ri dhe me siguri nuk do ta lerë me kaq karrierën e vet. Por meqë nuk mund të zgjidhet më President, atëherë ka vendosur që për aq sa do të jetë ende në ztë zyrë, t’ia vjelë frytet deri në rrëzë. Edhe nëpërmjet ndyrësish të vogla.