Dhjetë indianë humbën jetën dhe 33 të tjerë u plagosën të dielën në mbrëmje kur terroristët hapën zjarr ndaj një autobusi që transportonte pelegrinët hindu që ktheheshin nga tempulli Shiv Khori në rajonin Jammu dhe Kashmir në kufi me Pakistanin.
Të shtënat shkaktuan humbjen e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, për pasojë autobusi u rrëzua në një grykë të thellë.
Mediat lokale raportuan, duke cituar zyrtarin e lartë të policisë, Mohita Sharma, se udhëtarët ishin nga pjesë të tjera të Indisë dhe ata ende nuk janë identifikuar. Punimet e shpëtimit u kryen mbrëmjen e së dielës me ndihmën e personave të pranishëm në vendin e ngjarjes. Pelegrinët e plagosur u dërguan me urgjencë në spitalet e qendrave rajonale për trajtim.
Sulmi ndodhi pikërisht kur kryeministri indian Narendra Modi dhe 71 ministra po bënin betimin në një ceremoni në Nju Delhi. Pasi përfundoi, Modi, së bashku me presidentin Droupadi Murmu, ministrin e Brendshëm Amit Shah dhe krerët e partive kryesore politike, dënuan sulmin.
Guvernatori i Jammu dhe Kashmirit, Manoj Sinha, tha se kryeministri e udhëzoi atë që të mbikëqyrë vijimësisht gjendjen dhe të sigurojë të gjithë ndihmën e mundshme për familjet e prekura.
Një shtab i përbashkët operacioni i përbërë nga policia, ushtria dhe Forca Qendrore e Policisë Rezervë u krijua në vend për të nisur një operacion për kapjen e sulmuesve.
Sulmi i së dielës ishte një kujtesë e zymtë e një incidenti të ngjashëm që u shpalos më 10 korrik 2017, kur një autobus që transportonte pelegrinët nga shteti i Gujarat u godit me armë zjarri në Jammu dhe Kashmir. Shoferi arriti të shpëtojë 52 udhëtarët, megjithëse shtatë pelegrinë u vranë dhe 19 u plagosën.
Ndërsa gjendja e sigurisë është përmirësuar në përgjithësi në Jammu dhe Kashmir, një rajon me shumicë myslimane i cili ka qenë i diskutueshëm midis Indisë dhe Pakistanit që nga fundi i sundimit kolonial britanik në 1947, në vitet e fundit, lufta kundër terrorizmit në rajon ka qenë një çështje kyçe e prioritet për Nju Delhi.