Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht edhe këshilltari ekonomik i PD, Dorian Teliti duke folur në protestën e 11 para bashkisë së Tiranës, u shpreh se demokratët dhe shqiptarët nuk pranojnë instalimin e diktaturës.
Teliti theksoi në fjalën e tij, se vetëm me protesta të qëndrueshme arrihet qëllimi madhor, ndryshimi i pushtetit.
“Në këtë protestë të 11 ne kemi treguar diçka, që ne nuk dorëzohemi. Nuk dorëzohemi as para gardheve policore, as ndaj presioneve, as nga skafandrat që po afrohen tani, as nga dyqanet mediatike të blera.
Nuk dorëzohemi sepse ne jemi me të drejtën, qyterarët. Nuk dorëzohemi deri ditën që ata që kanë vjedhur e po shkatërrojnë Tiranën e Shqipërinë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
E ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë qëndron në shpresën e vetme për ta kthyer Tiranën dhe Shqipërinë në shinat e demokracisë.
Diktaturën e kanë parë dhe jetuar prindërit tanë. E kanë parë dhe jetuar edhe shumë prej nesh, ndonëse në moshë të re.
Diktaturën ne nuk e pranojmë dhe çdo qëllim i mazhorancës aktuale në nivel qendror dhe lokal për të instaluar diktaturën në Tiranë dhe Shqipëri do të marrin përgjigjen e merituar atë të shqiptarëve të bashkuar, sepse vetëm të bashkua ne do të ja dalim.
Qëllimi i ndryshimit të madh, arrihet vetëm me protestë të qëndrueshme, periodike, pa kthim pas dhe protestë gjithnjë e më të shumtë.
Prandaj të gjithë ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë më të bindur se kurrë se jemi në anën e të drejtës dhe përgjegjësia është në supet tona, përgjegjësia për ta bërë Tiranën një qytet normal dhe të jetueshëm”, tha gjatë fjalës së tij, Dorian Teliti.