Vendosni fjalën kyçe....

Investimet e huaja tjetër rekord, dominojnë përsëri pasuritë e paluajtshme


Investimet e huaja direkte e kanë nisur me rritje edhe këtë vit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte arritën vlerën e 354 milion eurove, niveli më i lartë historik për këtë periudhë të vitit. Investimet e huaja janë rritur me 15.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, rritja e investimeve të huaja tashmë po dominohet dukshëm nga fitimet e rriinvestuara të ndërmarrjeve, ndërsa injektimet e reja të kapitalit janë pothuajse në stanjacion.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara arritën në 209 milion euro, ose sa 59% e fluksit total të investimeve të huaja direkte. Ato u rritën me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, injektimi i kapitaleve të reja kishte vlerën e 144 milion eurove, me një rritje vjetore me vetëm 1%. Rritja e investimeve të huaja në zërin e fitimeve të riinvestuara është e lidhur edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit.

Duke qenë se fitimet e ndërmarrjeve me kapital të huaj sigurohen kryesisht në lekë, ndërsa bilanci i pagesave raportohet në euro, rënia e kursit të këmbimit e rrit vlerën statistikore të fitimeve të riinvestuara.

Forcimi i lekut duket se ka krijuar një rreth vicioz, ku rritja e investimeve të huaja shpjegon mbiçmimin e monedhës vendase, por njëkohësisht ky mbiçmim ndikon statistikisht edhe në rritjen e vlerave të investimeve të huaja.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikes, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%.

Të dhënat e tremujorit të parë të vitit konfirmojnë, në vija të përgjithshme tendencat e viteve të fundit. Investimet e huaja direkte janë në rritje të vazhdueshme, të mbështetura sidomos nga sektori i pasurive të paluajtshme, por edhe vlerat e larta të fitimeve të riinvestuara në disa sektorë të ekonomisë. Këtu përfshihen sidomos sektori i industrisë nxjerrëse të hidrokarbureve dhe sektori financiar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte vitin e kaluar shënuan vlerën e 1.49 miliard eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 22% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Ato arritën vlerën e 325 milion eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor