Vendosni fjalën kyçe....

Kartelat dhe rezervimi për kryerjen e vaksinave për fëmijët 0-7 vjeç do bëhen online në e-Albania


Prindërit e fëmijëve nga 0-7 vjeç nuk do të kenë më nevojë të paraqiten pranë Qendrave Shëndetësore, për të tërhequr kartelën e vaksinave që kanë kryer të vegjëlit e tyre, sepse nga sot dokumenti sigurohet online dhe në kohë reale, nëpërmjet e-Albania.

Në portalin qeveritar e-Albania është shtuar një shërbim i ri elektronik i emërtuar si “Kartela Personale e Vaksinimit” – https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15393

Qytetarët, që kanë fëmijë nën 7 vjeç, pasi të jenë loguar në llogarinë e tyre personale, mund të përdorin lehtësisht shërbimin, pa patur nevojën e ngarkimit të asnjë dokumenti shoqërues duke gjeneruar menjëherë kartelën e kërkuar.

Në formë elektronike, qytetarët mund ta paraqesin dokumentin në çdo kohë drejt administratës së çerdheve dhe kopshteve ku do të regjistrojnë fëmijët e tyre, duke i çliruar përfundimisht nga mundimi i përvitshëm për sigurimin e kartelës në letër dhe me vulë të njomë.

Por jo vetëm kaq! As prindërit e fëmijëve që do të regjistrojnë fëmijët në klasë të parë nuk do të kenë më detyrimin ta depozitojnë kartelën pranë shkollës ku do të mësojë fëmija. T

ashmë, nëpërmjet ndërveprimit të SMIP dhe Regjistrit Elektronik të Vaksinimit, kartela digjitale e vaksinimit do të dërgohet elektronikisht në shkollë nga vetë sistemi.

Më risinë e fundit, tashmë krijohet një portofol elektronik i ri i vaksinave të fëmijëve nga 0 deri në 7 vjeç, të cilin prindërit mund ta gjenerojnë në çdo kohë nga llogaria e tyre personale në rubrikën “Dokumentet e mia”.

Edhe një shërbim tjetër për ‘vaksinat’

Bashkë me kartelën digjitale, në portalin e-Albania, qytetarët mund të rezervojnë online për vete apo për pjesëtarë të mitur të familjes, kohën dhe llojin e vaksinës që duan të aplikojnë, në mbrojtje të shëndetit të tyre. Me “Rezervim për vaksinim” – https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15390, qytetarët mund të aplikojnë online për orën, datën dhe llojin e vaksinës që do të aplikohet në qendrën shëndetësore. Aplikantët do të marrin njoftimin e konfirmimit të rezervimit, nëpërmjet e-Albania, në rubrikën “Mesazhet e mia” për t’u paraqitur më pas pranë klinikës në zonën e tyre të banimit.

Mundësia e sigurimit online të kartelës digjitale të vaksinimit dhe rezervimi për vaksinim i bashkohen qindra dokumenteve dhe aplikimeve të tjera lehtësuese, që qytetarët i kryejnë vetëm online. Brenda javëve të ardhshme pritet të nisin edhe regjistrimet në klasë të parë dhe në klasë të dhjetë për vitin shkollor 2024-2025, procedura që, ashtu sikurse vitet e fundit, do të kryhen nëpërmjet shërbimeve të posaçme elektronike që ndodhen në portalin e-Albania.

Me risitë e fundit, numri i shërbimeve elektronike në portalin e-Albania ka shkuar në 1239