Vendosni fjalën kyçe....

Një birrë krejt e veçantë nga gjethet e kokës po prodhohet në Bolivi, a do e provonit një të tillë


Nëse do të ishte diku tjetër në Amerikën e Jugut, shtëpia e papërshkrueshme me kova të mbushura me gjethe koka të zhytura në lëng mund të ngatërrohej me një laborator klandestin kokaine.

Por ky është La Paz, Bolivi, dhe aroma e gjetheve të kokës që zhytet në fuçi sinjalizon se keni mbërritur në distilerinë e autorizuar nga qeveria “El Viejo Roble”, e cila prej vitesh ka prodhuar pije alkoolike nga gjethet e kokës dhe tani po përgatitet për të pridhuar një birrë e re e mbushur me koka.

Mbetet e diskutueshme nëse Bolivia mund ta bindë botën të pranojë gjethen e gjelbër të fortë, më të njohur përtej kufijve të saj, si përbërësi kryesor i kokainës. Por një vendim historik i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të studiuar përfitimet jo-narkotike të kokës ka rindezur shpresat e vjetra të fermerëve, prodhuesve dhe shitësve bolivianë.

“Eksportimi është një dëshirë që njerëzit e mi dhe unë e kemi pasur që kur isha fëmijë,” tha Lizzette Torrez, udhëheqëse e një prej sindikatave kryesore të kultivuesve të kokës në Bolivi.

Brenda Bolivisë, prodhuesi i tretë më i madh në botë i gjetheve të kokës dhe i kokainës, gjethja e lashtë ka frymëzuar rituale shpirtërore midis komuniteteve indigjene për breza.

“Birra mund të jetë e hidhur, por me shijen e ëmbël që i japim me koka, bëhet më e shijshme,” tha menaxheri Adrián Álvarez nga distileria, ku punëtorët mbushën pijen që së shpejti do t’i bashkohet vodkës dhe rumit me shije koka të “El Viejo Roble”.

Shtrirja e pijeve të Álvarez, së bashku me prodhimet e tjera të injektuara me koka, mbetet e kufizuar në panairet artizanale në Bolivi dhe Peru, vende ku gjethet janë të ligjshme – për sa kohë që nuk përdoren për të bërë kokainë.

Për sa i përket pjesës tjetër të botës, një konventë e Kombeve të Bashkuara e klasifikon gjethen e kokës si një lëndë narkotike dhe vendos një ndalim të plotë të drogës.

Qeveria e Bolivisë po ringjall shtytjen e saj prej dekadash jo vetëm për të destigmatizuar bimën dhe për ta bërë të ligjshme eksportin e saj, por edhe për të krijuar një treg global për pijet me koka, sapun, shampo, pasta dhëmbësh, miell dhe më shumë.

Përpjekjet e saj morën një nxitje të madhe vjeshtën e kaluar, kur OBSH njoftoi se do nisë një rishikim shkencor të gjethes së kokës, hapi i parë në një proces të gjatë për dekriminalizimin e gjetheve në mbarë botën.

“Procedurat janë nisur për herë të parë në histori”, tha për AP Juan Carlos Alurralde, sekretar i përgjithshëm i nënpresidencës së Bolivisë.

“Gjetja do hetohet seriozisht.”

Hera e fundit që OBSH ndërmori një studim të gjethes së kokës ishte në vitin 1992, por gjetjet e hollësishme nuk u bënë kurrë publike.

Zyrtarët nga Kolumbia dhe Bolivia zbuluan propozimin së bashku me përfaqësuesit e OBSH-së në Vjenë në fillim të kësaj pranvere. Ata kanë kohë deri në tetor, kur një takim i komitetit mbi studimin do nisë në Gjenevë, për të paraqitur kërkime rreth vetive medicinale dhe ushqyese të kokës.

Studimi do marrë në konsideratë gjithashtu përpjekjet e Bolivisë për të komercializuar kokën, duke përcaktuar sasinë maksimale të alkaloidit të kokainës që mund të përmbajnë prodhimet e kokaësnë tregun botëror.

“Ekspertët duhet të vlerësojnë nëse kjo çon në varësi,” tha Alurralde.

Gati 80 kilometra (50 milje) në veri të La Paz-it, ku shkurret me lartësi të mëdha ngjyrosin kodrat e gjlbërta tëë Trinidad Pampa, kultivuesit e kokës, të njohur si “cocaleros”, mirëpritën lajmet e rishikimit të OBSH-së. Për ta, përtypja e gjetheve të kokës është një zakon i përditshëm i krahasuar me pirjen e kafesë.

“Më ndihmon të korr pa lodhje dhe të mbaj familjen time,” tha fermeri Juan de Dios Cocarico, duke i futur një tufë koka në gojën e tij teksa këpuste gjethet nga kërcelli.

Dekriminalizimi global, thonë cocaleros, do sillte më shumë të ardhura nga eksporti teksa afrohet një krizë ekonomike për shkak të varfërimit të shpejtë të rezervave valutore të Bolivisë.

“Ky është një qytet që rritet me koka”, tha Frido Duran, një udhëheqës i kultivuesve të kokas në Yungas, një rajon në verilindje të La Paz.

“Ne jemi të bindur se ky studim (OBSH) do vërtetojë gjithçka që na mësuan gjyshërit tanë.”

Në të gjithë Bolivinë, gjethja mban me punë 70,000 kocalero dhe sjell rreth 279 milionë dollarë çdo vit, ndërsa fermerët shesin gjethet me shumicë për t’u përtypur si një stimulues i butë, për t’u përfshirë në ceremoni fetare ose për t’u shndërruar në mallra të tregtuara si një kurë mrekullie moderne që lehtëson problemet nga lartësia në ngjitjet në mal, rrit qëndrueshmërinë dhe shuan urinë.

Për Bolivinë, cocaleros janë kryesisht fermerë për mbijetesë, të cilët thonë se kanë pak mudësi të qëndrueshme për të korrat.

Për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore që prej kohësh kanë bllokuar përpjekjet e Bolivisë për të dekriminalizuar gjethet, cocaleros janë cilësuar si shkaku i shumë problemeve të drogës në botë.

“Me çdo përsëritje të politikës së SHBA-së, kultivuesit e kokës në Bolivia detyroheshin të ndiqnin çfarëdo udhëzimi politikash që ishte i mirë për burokracinë amerikane”, tha Kathryn Ledebur, drejtore e Rrjetit të Informacionit Andean, një grup kërkimor me bazë në Bolivi.

“Gjatë luftës kundër drogës, fermerët e kokës ishin trafikantë droge, pastaj narko-terroristë”.

Përqendrimi i Bolivisë në heqjen e gjethes nga lista e zezë e OKB-së buron nga skepticizmi i saj në lidhje me skemat e zhdukjes së kokës, të cilat autoritetet thonë se kanë sjellë dhunë që nga ajo kohë kur presidentia amerikan Richard Nixon filloi “luftën e tij kundër drogës” në 1971.

Në pamundësi për t’i detyruar cocaleros të sakrifikojnë jetesën e tyre të varfër duke mbjellë kultura zëvendësuese, autoritetet boliviane filluan të licencojnë fermerët për të rritur koka në vend.

Duke kërkuar studimin e bimës së kokës në OKB, Presidenti Luis Arce u kërkoi kombeve të shfrytëzonin “një mundësi të re për të korrigjuar këtë gabim të rëndë historik”.

Uashingtoni tha se ishte i hapur për studimin e OBSH-së, por sinjalizoi se nuk po e mbështeste legalizimin.

Një treg i ligjshëm i gjetheve të kokës, tha Zyra e SHBA-së për Politikën Kombëtare të Kontrollit të Drogës, nuk i pengon ato bimë të paligjshme të mbijnë. Në një deklaratë duke iu përgjigjur pyetjeve të Associated Press, agjencia citoi shifrat e qeverisë amerikane që tregojnë se ndërsa kultivimi i kokës në Bolivi u dyfishua nga viti 2006 në 2021, prodhimi i paligjshëm i kokainës gjithashtu u rrit me 175%.

Që nga viti 2022, OKB-ja tha se Bolivia kishte 29,900 hektarë (115 milje katrorë) me koka, nga të cilat vetëm 22,000 ishin të ligjshme.

Ish-presidenti Evo Morales, një lider i gjatë i sindikatave të kultivuesve të kokas, i cili e përzuri Agjencinë Amerikane për Zbatimin e Drogës (DEA) nga Bolivia në vitin 2009, përdori zyrën e tij për të zhvilluar tregun e kokas së rregulluar nga shteti të Bolivisë dhe për të lobuar në OKB për të hequr ndalimin e saj.

Ikona e së majtës arriti një fitore diplomatike në vitin 2013, kur OKB-ja ra dakord të linte Bolivinë të ribashkohej me traktatin e saj global të drogës me një lehtësim për përdorime tradicionale të gjetheve të kokasë.

Por shtytja e Morales për një studim të OBSH-së përfundoi kur protestat e dhunshme tronditën Bolivinë në 2019, duke çuar në dorëheqjen dhe internimin e tij pas 14 vjetësh në pushtet.