Të paktën 38 emigrantë që vinin nga Briri i Afrikës u vranë pasi varka e tyre u përmbys pranë Adenit të Jemenit, tha të hënën një zyrtar.
Hadi Al-Khurma, drejtori i qarkut Rudum, tha për Reuters se anija u mbyt para se të arrinte në brigjet e provincës Shabwa, në lindje të Adenit.
“Peshkatarët dhe banorët arritën të shpëtojnë 78 nga emigrantët, të cilët raportuan se rreth 100 të tjerë që ishin me ta në të njëjtën varkë janë të zhdukur. Kërkimi është ende në vazhdim dhe Kombet e Bashkuara janë informuar për incidentin,” tha ai.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 97,000 emigrantë mbërritën në Jemen nga Briri i Afrikës vitin e kaluar, shkruan NDTV.