Duke sqaruar se si ndahen delegatët e Kongresit, Rama tha se 925 delegatë janë zgjedhur nga anëtarësia, ndërsa pjesa tjetër janë anëtarët ex ficio si kryetarë bashkish, kryetar këshillash e kështu me rradhë. Rama tha se 76 % e 925 delegatëve të zgjedhur, janë për herë të parë në Kongresin e PS-së.
“Kemi shkuar përtej 50 % të të rinjve, pra jemi në 76 %. i njëjti kriter dhe e njëjta ambicie duhet të karakterizojë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë të re të PS-së.
Përsa i përket këtyre të dytëve dua të theksoj se janë 156 anëtarë dhe anetare të Asamblesë që do të zgjidhen me votë nga Kongresi, ndërkohë që një pjesë janë ex-ficio, deputetët, kryetarët e bashkive, këshillave etj.
Ka pasur një zhvillim pozitiv domethënës me organizimin e PS në emigracion, kemi zhvilluar dy ture për të takuar shqiptarët, në Greqi dhe Itali. Këto takime nuk ka qenë thjesht një qëllim në vetvete, as thjesht takime pa vazhdim, por ka qenë një trokitje në derën e shqiptarëve të Europës, përtej mureve të sallës, ku ka filluar një punë domethënëse për të rienergjizuar plotësisht rrjetin e anëtarësisë dhe simpatizantëve të PS”, tha Rama.
Ai u shpreh se PS ka 93 mijë anëtarë, nga të cilët 32 mijë janë anëtarë dhe anëtare të rinj dhe të reja.