Ardit Muça ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit do të dëshmojë me dyer të mbyllura në komisionin hetimor për rrjedhjen e të dhënave në sistemin ‘TIMS’. Pas kërkesës së tij për dëshmi me dyer të mbyllura, ishte mazhoranca e cila votoi me 8 vota pro, ndërsa opozita kërkoi mbledhje të hapur.
“Mbrojtja e të drejtave të mia për respektimin e jetës private, për garantimin e sigurisë time fizike, si dhe për shkak të informacioneve të klasifikuara”, ka deklaruar Muça.
Kryetari i komisionit tha se mazhoranca ka dëshirë që ti bëjë punët në errësirë.
“Duhet ta marrim në konsideratë edhe pse unë mendoj se të gjitha dëshmitë duhet të jenë më dyer të hapura. Sepse nuk ka ndonjë sekret shtetëror. Pretendimi është që nuk ka dalë asnjëherë në publik. PS dhe mazhoranca e ka ves ti bëj natën dhe në errësirë siç u bë ndërhyrja në TIMS. Ne po themi të ndezin dritat, çfarë frike keni ju”, tha Salianji.
Edhe deputeti Lefter Gështenja kërkoi që dëshmia të jetë me dyer të hapura.
“Nuk shoh asnjë arsye përpos manovrave që përdoren nga mazhoranca që këto seanca të bëhen me dyer të mbyllura. Do të kërkoja që seanca të jetë me dyer të hapura, se çfarë ka ndodhur. Edhe me dyer të mbyllura ato që u dëgjuan ishin llahtar. Ndaj shqetësim të thellë në këtë dimension. Mbledhja zgjati deri në 4 të mëngjesit”, tha Gështenja.
Por kjo u kundwrshtua nga mazhoranca. Nënkryetari i komisionit Toni Gogu kërkoi që të mos humbet kohë me debate të kota, por të vijohet me marrjen në pyetje të dëshmitarëve e sipas kërkesave të tyre të jenë me dyer të mbyllura për ruajtjen e informacioneve sensitive.
“Më duhet të përsëris veten se sa më shumë kohë harxhojmë me veten, aq më shumë kohë i marrim është e panevojshme që ky komision të krijojë një tragjikomedi. Neve nuk na ka ngarkuar njeri që të sekretojmë informacionet. Tragjike është kur shkelet ligji në emër të zbatimit të ligjit. Komikja është të bësh të çuditurin. Ju e mendoni shtetin që prokurorin e dhe OPGJ t’i shikoni çdo natë në televizor. Ju keni tallavanë e qytetarit dixhital. Të mos bëjmë Lizën në botën e çudirave. Meraku ynë është si të zbatohet ky ligj dhe të kuptojmë si është shkelur e duhet përmirësuar”, deklaroi Gogu.