Një helikopter ushtarak që mbante zv.presidentin e Malauit është zhdukur nga radarët dhe nuk arriti të ulej në destinacion, tha qeveria në Lilongwe në një deklaratë të hënën.
Saulos Klaus Chilima dhe nëntë zyrtarë të tjerë ishin në bordin e një helikopteri të Forcave të Mbrojtjes së Malauit, që u nis nga kryeqyteti të hënën në mëngjes për në qytetin verior të Mzuzu. Fluturimi duhej të zgjaste vetëm 45 minuta, por mjeti nuk u ul kurrë.
“Të gjitha përpjekjet e autoriteteve të aviacionit për të kontaktuar me helikopterin që kur ai doli nga radari kanë dështuar deri më tani”, tha në një deklaratë zëdhënësja presidenciale Colleen Zamba.
Presidenti i Malaui, Lazarus McCarthy Chakwera, ka anuluar udhëtimin e tij të planifikuar në Bahamas dhe ka urdhëruar një operacion kërkimi dhe shpëtimi për helikopterin e zhdukur, shtoi Zamba.
Sipas mediave lokale, Chilima po udhëtonte për të marrë pjesë në funeralin e një avokati të njohur. Për shkak të motit të keq në Mzuzu, helikopteri u përpoq të kthehej në Lilongwe. Dëshmitarët okularë pretendojnë se e kanë parë atë të përplaset diku në zonën pyjore Chikangawa.
Malaui është një vend pa dalje në det në Afrikën jugore, midis Zambias, Tanzanisë dhe Mozambikut, me një popullsi prej rreth 20 milionë banorësh.