Vendosni fjalën kyçe....

Banesat luksoze që bllokonin pamjet e malit Fuji do prishen


Një ndërtesë luksoze dhjetë katëshe në Tokio do shkatërrohet sepse bllokon pamjen e malit të shenjtë të Japonisë, Fuji.

Pas një fushate të zgjatur nga banorët vendas, ndërtesa e apartamenteve në periferinë perëndimore të Kunitachi do rrëzohet menjëherë pasi të përfundojë, sepse pengon vijën e shikimit nga një rrugë e quajtur zyrtarisht “Fuji Viewing Avenue”.

Ndërtesa e quajtur Grand Maison Kunitachi Fuji Vieëing Avenue, përmban 18 apartamente me sipërfaqe 820 metra katrorë. Pika e tij e fortë e shitjes ishin pamjet e malit që shtrihet 12 mijë metra në horizontin perëndimor.

Sekisui House, zhvilluesi i pronës, tha: “Nuk ka probleme me strukturën e ndërtesës së apartamenteve dhe nuk ka shkelje të ligjit, por nuk është marrë parasysh mjaftueshëm ndikimi në mjedisin përreth, siç është peizazhi.”

Kompania tashmë kishte ulur Grand Maison nga 11 në 10 kate. Por vendasit këmbëngulën se do toleronin jo më shumë se katër kate, gjë që do e bënte atë joekonomike për zhvilluesin. Blerësit e apartamenteve 82 milionë jen (420,000  euro), të cilët do zhvendoseshin në muajin e ardhshëm, janë informuar për prishjen e afërt.

Pavarësisht grupimeve të rrokaqiejve të biznesit në qendër, pjesa më e madhe e Tokios rezidenciale deri vonë ishte relativisht e ulët. Në ditët e kthjellta të dimrit, skica e mbuluar me dëborë e Fuji mund të shihet nga pikat e larta të qytetit.

Fuji mbetet një vullkan aktiv që ka shpërthyer 180 herë në 5600 vitet e fundit. Shpërthimi i fundit, dhe më i madhi nga të gjitha, filloi më 16 dhjetor 1707 dhe nxori 850 milionë metra kub gurë, rërë, hi dhe tym të zi për 16 ditë. Që atëherë, fshatrat përreth bazës së tij janë rritur në qytete të mesme dhe mali ka pamje nga konglomeracioni urban Tokio-Yokohama-Kawasaki, më i madhi në botë.

Në vitin 2004, një raport i qeverisë vlerësoi se një tjetër shpërthim mund të shkaktonte deri në 2.5 trilion jen (20 miliardë euro) dëme në ekonominë japoneze.