Mbetjet e avionit ushtarak të zhdukur që mbante zv.presidentin e Malauit, Saulos Klaus Chilima dhe nëntë të tjerë, janë gjetur pa asnjë të mbijetuar, ka njoftuar presidenti i kombit jugor të Afrikës, Lazarus McCarthy Chakwera.
Presidenti Chakwera anuloi një udhëtim të planifikuar në Bahamas dhe urdhëroi një operacion kërkim-shpëtimi për avionin e Forcave të Mbrojtjes së Malauit (MDF), i cili u zhduk nga radarët pasi u largua nga kryeqyteti, Lilongwe, të hënën në mëngjes.
Sipas autoriteteve, zv.presidenti i ndjerë dhe të tjerët, përfshirë ish-Zonjën e Parë Shanil Dzimbiri, po udhëtonin në qytetin verior të Mzuzu për të përfaqësuar qeverinë në varrimin e një ish-ministri të Drejtësisë, Ralph Kasambara, i cili vdiq katër ditë më parë. Fluturimi ishte planifikuar të zgjaste 45 minuta, por avioni, për të cilin thuhet se po fluturonte në mot të keq, nuk arriti kurrë në destinacionin e tij.
Më herët të martën, komandanti i MDF-së, Valentino Phiri u tha gazetarëve se avioni mund të ishte rrëzuar në pyllin Chikangawa dhe se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin penguar nga kushtet e mjegullës. Ushtarët kishin kaluar natën dhe herët në mëngjes duke kërkuar pyllin Chikangawa për avionin.
Duke folur në një konferencë shtypi të martën, Presidenti Chakwera tha se ishte informuar nga komandanti i MDF-së se operacioni i kërkim-shpëtimit ishte përfunduar dhe avioni ishte gjetur.
“Jam thellësisht i pikëlluar dhe më vjen keq t’ju informoj të gjithëve se përballemi me një tragjedi e tmerrshme. Ekipi i kërkim-shpëtimit ka gjetur avionin pranë një kodre në pyllin Chikangawa. Ata e gjetën atë të shkatërruar plotësisht pa asnjë të mbijetuar, pasi të gjithë pasagjerët në bord u vranë nga përplasja,” tha presidenti.
Chilima, 51 vjeç, kishte shërbyer si zëvendëspresident i Malauit, një vend me një popullsi prej rreth 20 milionë banorësh, që nga viti 2014.
Muajin e kaluar, një gjykatë në Malaui hodhi poshtë akuzat për korrupsion të ngritura kundër Chilima në vitin 2022, pasi kreu i prokurorisë paraqiti një njoftim për të ndërprerë hetimet.
Ish-zëvendëspresidenti u arrestua në vitin 2022 me akuzat për korrupsion pasi mbikëqyrësi i korrupsionit i vendit pretendoi se ai ishte paguar për ndihmën e dy kompanive të lidhura me biznesmenin britanik Zuneth Sattar, “Xaviar Ltd” dhe “Malachitte FZE”, për të siguruar kontrata nga qeveria e Malauit. Chilima i mohoi akuzat.