Prokurorët në Milano po hetojnë zinxhirin e furnizimit të rreth një duzinë markash të tjera të modës, tha një person me njohuri për këtë çështje, pasi një njësi e LVMH të Francës në Itali ishte vënë nën administrim gjyqësor në një hetim për shfrytëzimin e punëtorëve.
Të hënën, një gjykatë në Milano caktoi një komisioner për të drejtuar një prodhues të çantave të markës Dior në pronësi të LVMH, pasi një hetim në katër prej furnizuesve të saj me bazë në rrethinat e kryeqytetit të modës të Italisë zbuloi kushte të paligjshme pune për stafin.
Inspektimet në vend dhe kontrollet mbi të dhënat e përdorimit të energjisë elektrike i shtynë prokurorët të pretendojnë se punëtorët ishin punësuar për orë të zgjatura, duke punuar shpesh gjatë natës dhe gjatë pushimeve. Disa nga stafi flinin aty ku punonin, nuk kishin kontrata të rregullta, me dy që kishin emigruar në mënyrë të paligjshme në Itali.
Ky është vendimi i tretë i tillë këtë vit nga gjykata e Milanos e ngarkuar me masat parandaluese, e cila në prill ndërmori hapa të ngjashëm në lidhje me një kompani në pronësi të Giorgio Armani për shkak të akuzave se grupi i modës “në mënyrë të fajshme kishte dështuar” në mbikëqyrjen e duhur të furnizuesit të saj. Armani Group tha në atë kohë se gjithmonë kishte kërkuar të “minimizonte abuzimet në zinxhirin e furnizimit”.
LVMH të hënën nuk pranoi të komentojë vendimin e gjykatës.
Prokurorët e Milanos dhe policia italiane po hetojnë prodhues të tjerë të vegjël që furnizojnë rreth një duzinë markash të tjera, i tha personi Reuters, duke kundërshtuar të japë hollësi shtesë sepse informacioni është konfidencial.
Emërimi i një komisioneri të posaçëm synon t’u japë kohë filialeve të markave të modës për të rregulluar problemet në zinxhirin e tyre të furnizimit ndërkohë që vijojnë të operojnë.
As LVMH dhe as Armani nuk janë nën hetim, ndërsa furnitorët e shënjestruar nga hetimi përballen me akuza për shfrytëzim të punëtorëve, treguan kopjet e vendimeve të gjykatës të parë nga Reuters.
Prodhuar në Itali
Prokurorët e Milanos kanë hetuar për dekadën e fundit firmat e rekrutimit që dyshohet se kanë punësuar punëtorë në mënyrë të paligjshme, duke shmangur taksat, si dhe kontributet e mirëqenies dhe pensioneve, për të ulur koston e shërbimeve që ata kanë ofruar.
Hetimet tradicionalisht kishin në shënjestër sektorë të tillë si shërbimet e logjistikës, transportit dhe pastrimit, ku punëtorët furnizoheshin nga firmat që u krijuan dhe u rrëzuan çdo dy vjet.
Fokusi më pas u zhvendos në sektorin e modës, ku hetimet kanë nxjerrë në pah probleme të ngjashme këtë vit.
Italia përbën 50% deri në 55% të prodhimit global të mallrave të luksit, përllogariti konsulenca Bain, me mijëra prodhues të vegjël që furnizojnë markat e mëdha dhe i lejojnë ata të mbajnë etiketën e çmuar ‘Made in Italy’ në mallrat e tyre.
Hetimi i fundit i Milanos ka treguar se një prodhues i vogël ua pagua nga Dior vetëm 53 euro për të bërë një çantë dore, të cilën shtëpia e modës e shiti më pas në dyqane për 2600 euro.
Sipas ligjit italian, markat që kontraktojnë prodhimin janë përgjegjëse për kryerjen e kontrolleve të përshtatshme te furnitorët.
Në të kaluarën, masat e marra nga magjistratët italianë në lidhje me hetimet e shfrytëzimit të punëtorëve kishin të bënin vetëm me furnitorët që keqtrajtonin punëtorët.
Megjithatë, prokurorët e Milanos kanë qenë në gjendje të përdorin një dispozitë në ligj që fillimisht ishte krijuar për të trajtuar kompanitë e infiltruara nga Mob.
Këto kompani do viheshin nën administrim gjyqësor nëpërmjet emërimit të komisionerëve të posaçëm për t’i drejtuar ato.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters