Vendosni fjalën kyçe....

Pse Bashës iu mor “Vula”?


Nga Indrit Vokshi

Ditën e 3 marsit 2023 kur në Gjykatën e Apelit u zhvillua “gjyqi për Vulën e PD”, ambasadorja e ShBA znj. Juri Kim, shkoi në seancën gjyqësore. U duk qartë një vullnet amerikan për të pasur një Parti Demokratike përtej Sali Berishës, të pakontrolluar nga Sali Berisha, mundësisht kundër Sali Berishës. Thënë ndryshe, amerikanët i dhanë PD-së një mundësi për të ekzistuar dhe për të vazhduar si parti e madhe e si parti e përfaqësimit të “projektit europian e amerikan” në Shqipëri.

Pasi zgjedhjet e 14 majit u humbën nga opozita, Lulzim Basha nuk dëgjoi asnjë thirrje për proces transformues dhe për një “pakt të ri” brenda Partisë Demokratike, pakt i cili do tiu krijonte mundësinë deputetëve, aktivistëve të djathtë, militantëve dhe të gjithë atyre të cilët do të kishin dëshirë për tu angazuar në Të Djathtën Shqiptare, të angazhoheshin dhe të bënin politikë brenda asaj partie.

Përkundrazi ai, Lulzim Basha, projektoi një parti thjesht si instrument të personit të tij, tarafit të tij, bizneseve rreth tij, me shpresën sa fëmijnore aq edhe të mrekullueshme për të, se demokratët, prej tek deputetët dhe deri tek militanti, nuk do të kishin ku të shkonin por, do të ishin të detyruar t’i bashkoheshin atij. Sa imagjinatë e bukur!

Deputetët, pasi e paralajmëruan në mbledhje të kryesisë se krijimi i një partie të personalizuar dhe jo partie “aksionere” dhe gjithëpërfshirëse do të kishte pasoja të rënda, bënë reagimin e tyre duke u larguar prej tij. Reagimi i Bashës ishte bazik dhe i pamençur; akuza deputetëve si të shitur e që kërkonin të çonin “vulën” tek Sali Berisha. Madje situata u bë edhe më qesharake; kur deputetët takonin përfaqësues të huaj europianë dhe amerikanë, agjitacioni i Bashës hidhte në qarkullim përrallën se amerikanët dhe europianët i kanë thirrur deputetët për tiu kërkuar të bashkohen me Bashën, pasi Basha ishte “profeti i Perendimit” në Shqipëri.

U ndërtua version sikur i vetmi njeri që di anglisht në PD quhet Lulzim Basha dhe vetëm ai komunikon me amerikanët dhe europianët;, kjo ngjan e denjë për librin Todorovit ku ai trajton takimin e Kristofor Kolombit me actekët dhe indigjenët e ndryshëm dhe, brenda komunitetit indigjen, ka vetëm një person i cili flet gjuhën e konkuistadorëve spanjollë të cilët, prej indigjenëve, ishin tehuajësuar dhe konsideruar hyjni. Thënë ndryshe, grupimi i  Bashës tentuan ta trajtojnë të gjithë Partinë Demokratike në të gjitha krahët, si indigjenë ndër të cilët vetëm njëri prej tyre, Basha, kishte aftësi për të komunikuar me “hyjnitë”. E me ketë përrallë u mundua t’i mbante lidhur njerëzit rreth vetes për t’i përdorur si mall shkëmbimi në tregun politik shqiptar.

Kushdo që tentoi t’i informonte për të vërtetën se Bashën nuk e takojnë më në Amerikë u përball me akuzat se urren Bashën, ka inat, ka halle personale, shpif e të tjera akuza.

MIrëpo as demokratët nuk ishin indigjenë të pagjuhë, as Basha nuk ishte i vetmi që dinte anglisht, as amerikanët dhe europianët nuk ishin konkuistadorë të cilët nuk njohin gjuhën e vendit.

Amerikanët e as europianët nuk qenë më të pranishëm në “Gjyqin e Vulës”. Ata ia anuluan Lulzim Bashës mundësinë që i patën dhënë me datë 3 mars 2023. Ata mesa duket vazhduan politikën e kahershme për të investuar tek partite tradicionale duke mbështetur brenda këtyre partive, njerëz të rinj të cilët i konsiderojnë miq e aleatë me të cilët munden të bashkëpunojnë. Ketë mesa duket e bënë kur u bindën se “partia tradicionale” është partia e Rithemeluar dhe jo partia e Bashës dhe, u bindën se Basha nuk arriti ta marrë e ta drejtojë partinë tradicionale sepse deshi partizë personale.

Pyetja shtrohet: A komplotoi Basha me Berishën që Basha të sillej qëllimisht si i dobët me qëllim që partia e Berishës të rifaktorizohej? A ishte Basha “Thasari Sekret” I Stalinit, thesar të cilin Stalini e krijoi për ta përdorur për tu mbrojtur dhe për tu rikthyer në pushtet në kushtet e një “kundër-revolucioni” kundër tij? Pra a është ky një operacion i “Klikës së Thellë” të Shqipërisë me qëllim për t’i vendosur të huajt para detyrimit për të zgjedhur përsëri si partnerë liderët e vjetër? Jo, ka pak gjasa të jetë një komplot i këtij lloji.

Aleksandër Solzhanicin në librin “Arkipelagu Gulag” shkruan një arsyetim interesant. Ai shkruan se Stalini nuk urdhëronte specifikisht tortura. Por si ndodhnin torturat? Stalini kishte caktuar në postet kyçe të “Aparatit të Dhunës” njerëz të cilët nuk ishte e nevojshme t’i urdhërojë për të kryer tortura, pasi ata i kryenin vetë torturat, pa ndonjë urdhër specifik. Edhe Sali Berisha, “komoplotin” e ka bërë në vitin 2013 kur caktoi pasardhës Lulzim Bashën të cilin edhe sot nuk është e nevojshme ta urdhërojë specifikisht Berisha për të kryer apo mos kryer ndonjë veprim, pasi njëlloj si ofiqarët e Stalinit, Basha ska ditur të bëjë gjë tjetër përveç gafave dhe ska mundur të jetë asnjëherë lojtar politik i dorës së parë.

Kësisoj askush, as shqiptar as i huaj i interesuar për Shqipërinë nuk ka pasur interes që një vulë dhe logo aq të rëndësishme në Shqipëri tia linte në duar Lulzim Bashës i cili edhe nëse do ta mbante ufaktua gjatë këtij viti se nuk kishte për të krijuar asgjë serioze; rrjedhimisht askush ska pasur ndonjë arsye për ta mbajtur gjallë me intubim Lulzim Bashën nën titullin “kryetar partie” siç askush, as shqiptar e as I huaj i interesuar për Shqipërinë (amerikan apo gjerman qoftë), nuk vendos bast për një kal i cili ka faktuar se nuk ka dëshirë e takat për të vrapuar. Nëse flasim për standarde europiane, standard europian është rotacionin dhe qarkullimi, njerëzit duhet të kenë mundësi për të vendosur baste për kuaj të tjerë.